Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi i ka dërguar letër ngushëlluese familjes së futbollistit, Labinot Harbuzi i cili ndërroi jetë sot, njofton Klan Kosova.

Kryetari Ademi ka ngushëlluar familjen Harbuzi në emrin e tij, të ekipeve dhe adhuruesve të futbollit.

“Lajmi për vdekjen e hershme të Labinot Harbuzit, na ka tronditur  të gjithëve në Kosovë dhe jashtë saj,  ndaj ju lutem që në emrin tim, KE, klubeve dhe adhuruesve të futbollit, me lejoni të ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe të thella”, thuhet në letrën e Ademit dërguar familjes së Labinotit.

Sipas të parit të FFK-së, vdekja e Labinotit ka lënë zbrazëtirë të madhe dhe se ai do të kujtohet gjithmonë.

“Ikja e hershme Labinotit, i cili  ka lënë gjurmë në futbollin mbarëshqiptarë dhe ndërkombëtar, ka lënë një zbrazëtirë të madhe te familja, te komuniteti i futbollit dhe te miqtë. Labinoti duke rrjedhur nga një familje sportistësh, ishte një futbollist i spikatur me tipare të veçanta, një djalosh i dashur e i respektuar nga të gjithë, ndaj si të tillë do ta kujtojmë përherë”, thuhet më tej në letrën e Ademit.

“Në këto momente të vështira të gjithë jemi pranë jush, për ta përballuar dhimbjen dhe humbjen e njeriut më të dashur për ju”,përfundon letra e presidentit të FFK-së.