Edhe pse disa kriptomonedha si Monero dhe Zcash janë zhvilluar për të ofruar privatësi të plotë, së shpejti kjo mund të ndryshojë.

Për shkak të rritjes së volumit të mashtrimeve dhe aktiviteteve të pastrimit të parave nga aktorë të huaj të cilët përdorin këto asete dixhitale, Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare (DHS) ka planifikuar të ekzaminojë dhe pse jo të gjurmojë këto transaksione.

Sipas një njoftimi të publikuar, DHS është duke hetuar nëse këto transaksione në blockchain mund të gjurmohen.

Këtë DHS synon ta arrijë duke prezantuar një produkt i cili do të zhvillohet me qëllim që të mbështesë implementimin e një analize dhe shpërndarje informacioni të bazuar në blockchain.

DHS posedon mjetet e duhura analitike me në fokus bitcoin por aplikacioni i tyre ka shumë kufizime.

Për këtë institucioni kërkon krijimin e strukturave të monitorimit bazuar në blockchain me të cilat mund të gjurmojë Zcash dhe Monero.

Kështu DHS do të kishte mundësi të adresonte kërcënimet e transaksioneve të fshehta.

Plani i implementimit

DHS ka planifikuar të zhvillojë partneritete dhe kërkime me startupet blockchain të cilat janë të interesuara në rritjen e sigurisë dhe transparencës së ekosistemit blockchain.

Kërkimi është i ndarë në tre faza. E para presupozon krijimin e një ekosistemi për analizën e blockchain i dizajnuar pikërisht për transaksionet në monedha që japin prioritet privatësisë.

Në fazën e dytë do të demonstrohen teknologjitë blockchain forensic.

Hapi i tretë përfshin aplikimin në masë të teknologjisë e cila gjithashtu do të ndihmojë agjencitë ligjzbatuese të njohin konsumatorin dhe të parandalojnë pastrimin e parave.

DHS vë theksin tek fakti se teknologjia blockchain po integrohet në ekonominë dixhitale dhe implementimi i një analize të tillë do të jetë jo vetëm jetike por edhe fitimprurëse për sistemin ekonomik dhe aktorët e saj.