Komuna e Prishtinës njoftoi sot se banesën e familjes së dëshmorit të kombit, Isa Kastrati, sot ia ka ndarë dikujt tjetër.

I biri i tij, kryetari i sotëm i Kamenicës, Qëndron Kastrati, pasi që u zgjodh në post publik, e liroi banesën me kërkesë që ajo t’i ndahet ndonjë familjeje tjetër, qoftë nga kategoritë e dala nga lufta, qoftë nga rastet sociale.

Çelësat e asaj banese sot i ka marrë përfituesi Milazim Hasimi, i cili ishte i pari në listën e pritjes nga familjet me gjendje të rëndë sociale, për të siguruar strehim në një banesë të tillë.

Duke falënderuar Kastratin për një veprim të tillë, Komuna e Prishtinës uron që ky shembull të ndiqet edhe nga të tjerët, ashtu që banesat e tilla të jenë në dispozicion për familjet në nevojë.