Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, takimin e radhës e zhvilloi me banorët në Dibër, me të cilët ndau planin ekonomik të Partisë Demokratike në Repulbikën e Re.

Basha akuzoi kreun e qeverisë Edi Rama se në 4 vite e shndërroi Dibrën, Kukësin dhe Klosin në udhëheqësit e emigrimit për të shpenzuar paratë e taksapaguesve për rilindjen urbane, pikë në të cilën përmendi edhe sheshin “Skënderbej”.

“Krekoset në Tiranë dhe thotë “ja ku është xhevahiri i madh i Rilindjes”. Në sheshin “Skënderbej” ka bërë një kodër të madhe me pllaka dhe me pemë. Shumë mirë, por sa ka kushtuar? Sa 5 vjet buxheti i Dibrës! Sa për të bërë 10 shkolla në Tiranë. Sa për të dyfishuar ndihmën ekonomike në të gjithë Shqipërinë”, tha Basha.

Ndërsa u ndal tek shëndetësia, Basha akuzoi Edi Ramën se me Ilir Beqjan që kandidon në këtë qark, vodhën paratë nëpërmjet koncensioneve: “Vjen dhe u kërkon votën me kampionin e korrupsionit, me hajdutin me çizme Ilir Beqja, i cili, sapo të mbarojë vettingu do të shkojë përpara drejtësisë sepse korrupsioni në shëndetësi është krim i rëndë sepse ka luajtur me jetët e njerëzve”.

Kreu i Partisë Demokratike prezantoi përpara dibranëve planin ekonomik, që ka si shtylla kryesore taksën e sheshtë 9% dhe uljen e TVSH-së në 15%. Përsa i takon votës së 25 qershorit, ai u kërkoi banorëve të kësaj zone që të mos votojnë as Ramën dhe as Metën: “Asnjë votë për shushunjat. Koha e shushunjave në pushtet merr fund më 25 qershor. Është bërë bishë Ilir Meta sepse e shikonte veten gjithmonë një dorë në bakllava dhe një dorë në sheqerpare. Dorën në bakllava nuk ka për ta pasur kurrë më, por edhe këta të sheqerpares do ia heqin dorën”, shkruan TCH, .

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here