Bateristi i bendeve Joy Division dhe New Order, Stephen Morris, ka publikuar memoarin e tij “Incizo Luaj Pauzo: Rrëfimet e një Perkusionisti Post-Punk – Vëllimi i Parë”.

Librin ai e nxori në shitje këtë javë, ndërkaq Morris gjithashtu dha një intervistë për Damian Jones të NME-së ku foli për ditët e hershme të bendit si dhe për trashëgiminë që ata kanë lënë pas.

“Doja që ta shkruaja një roman, sepse lexoj shumë dhe mendoja që mund ta shkruaj një roman të mirë. Sa zor mund të jetë? Por e shijova procesin e të kujtuarit gjëra”, thotë Morris.

“Mund t’i kujtoj të gjitha ngjarjet, se si u futa në bend dhe se çfarë i ndodhi bendit”.

“Çfarë më stepte ishte se sa shumë gjëra ndodhën në një hapësirë vërtet të shkurtër kohore, me Joy Division, nuk ishte kohë fare. Bëmë aq shumë koncerte dhe qartazi Ian ishte i sëmurë dhe ju mund të hamendësoni se si ia dolëm”.

“Ishte me kilometra më mirë se një punë e rëndomtë. Kurrë nuk mendonit nëse do të merrte fund”.

Për më tepër, ai mbetet i befasuar me famën që ky bend vazhdon ta gëzojë, madje mendon se dikush

“Po, deri në atë masë sa mendoj, ‘A kam qenë pjesë e tij?’. Shpesh herë duket sikur njerëzit po flasin për dikë tjetër, sepse ka aq shumë obsesion me bendin”, ka shtuar mes tjerash ai.

Morris në intervistë tregon që libri i tij flet për koncertet e para të grupit dhe se si kishte nisur gjithçka për të.

“Libri im flet për të gjitha copëzat para Joy Division dhe Varshavës. Ka të bëjë me atë se si përfundoni duke dashur që të jeni në një bend pikë së pari. Babai im ishte i dhënë pas Jazz-it dhe gjithmonë ka dashur që ta mësoj një instrument muzikor. Mendoja, ‘Shumë bukur, do ta mësoj kitarën’, dhe ai ishte disi si, ‘Mund ta mësosh klarinetin”.

I pyetur nëse ka ndonjë plan për 40 vjetorin e albumit debutues të Joy Division, “Kënaqësi të Panjohura”, Morris tha se janë duke folur për diçka dhe se duan që të bëjnë diçka të veçantë që ta shënojnë këtë moment.