Trajneri i ekipit kombëtar të Kosovës, Bernard Challandes, ka mbajtur një konferencë për media para ndeshjes miqësore që do të zhvillohet nesër me Gjibraltarin.

Ai këmbënguli se nuk e sheh si miqësore ndeshjen kundër Gjibraltarit nesër në Prishtinë, por si mundësi të mirë për t’u përgatitur për ndeshjen kualifikuese kundër Malit të Zi katër ditë më vonë, si dhe u ka bërë thirrje lojtarëve dardanë të jenë seriozë dhe ta japin maksimumin.

“Loja më Gjibraltarin lojë e mirë, mundësi e mirë. Mundësi e mirë për çdo lojtar. Nuk është miqësore, por mundësi e mirë për t’u përgatitur për Malin e Zi. E respektoj Gjibraltarin, është lojë përgatitore për ne.

Strategu zviceran e sheh Gjibraltarin si ekip luftarak dhe i organizuar mirë, prandaj kërkon nga futbollistët e vet të jenë seriozë, agresivë dhe ta japin maksimumin.

“Pres që të gjithë lojtarët të jenë seriozë, agresivë dhe ta japin maksimumin sado që janë në fushë. Kush nuk e jep maksimumin, do të ketë telashe. Gjibraltari ka organizim të mirë, trajner të mirë, ekipi lufton, nuk është e lehtë për ne, kanë luajtur mirë kundër Zvicrës dhe Islandës. Në këtë ndeshje mund ta shoh se çka mund të bëjnë disa lojtarë që nuk kanë pasur hapësira. Për mua është e rëndësishme ta shoh formën e lojtarëve para lojës me Malin e Zi”, shtoi ai.

Challandes nuk dëshiron t’i qaset ndryshe ndeshjes me Gjibraltarit, megjithëse është vetëm miqësore, duke shtuar:

“Ne do t’i mbesim besnik filozofisë tonë, edhe kur luajmë me ekipe të forta dhe me më pak të forta, do të mundohemi të krijojmë më shumë raste. Është mundësi për lojtarët ta tregojnë veten dhe ndonjërin prej tyre ta përdorim ndaj Malit të Zi”.

Përqendrimi kryesor i Dardanëve, natyrisht, është tek ndeshja e së hënës mbrëma, kur e pret Malin e Zi në stadiumin Fadil Vokrri në sfidën e Grupit A kualifikues për Euro 2020.