Gjigandi Kinez i teknologjisë Huawei, i cili është edhe prodhuesi më i madh në botë i pajisjeve të telekomunikacionit, prezantoi ditën e Mërkure një çip të inteligjencës artificiale i cili do të jetë në zemër të serverave të kompanisë.

Kompania do ta përdorë çipin e për të rritur biznesin e saj të ri të shërbimeve cloud.

Për herë të parë në serverat e kompanisë do të jetë një çip i Huawei. Lëvizja gjithashtu shihet si përpjekje e Kinës për të konkurruar me Shtetet e Bashkuara në fushën e semikonduktorëve.

Kina synon që çipet e prodhuara prej kompanive të saj të jenë në 40% të telefonëve inteligjentë në mbarë botën deri më 2025.

Sakaq Huawei nisi biznesin cloud vitin e kaluar në një treg të dominuar nga Alibaba.

Çipi i ri 7 nanometër Ascend 910 do të përdoret për qendrat e të dhënave. Ai mund të përpunojë informacione më shpejt sesa rivalët si Nvidia v100.

Huawei gjithashtu prezantoi një çip të dytë i cili do të përdoret për kamerat e mbikëqyrjes.