Ish-kryeministri i Italisë Massimo D’Alema e vlerësoi dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë si një rast të madh që nuk duhet humbur.

“Ky akord është tejet i rëndësishëm ngaqë do të thotë se Kosova do të bëhet pjesë e një komuniteti ndërkombëtar. Gjithashtu edhe për Serbinë është e rëndësishme sepse heq një nga barrierat më të mëdha drejt integrimit të saj në BE. Ky akord do të shënojë fundin e një lufte të gjatë dhe dramatike dhe nisjen e një periudhe të re të paqes në Ballkan”.

D’Alema gjate një interviste në Info Magazine të Klan Kosovës pohoi se presidenti Hashim Thaçi, do i përfaqësojë në mënyrë të arsyeshme të gjithë kosovarët në drejtimin e këtij dialogu.

Ai shtoi se temat e finales së dialogut janë delikate, megjithatë ngelet në përgjegjësinë e palëve që të tejkalojnë dallimet dhe të realizojnë marrëveshjen.

“Është e dukshme që temat janë delikate dhe janë pikërisht për garancitë që duhet të jepen, në veçanti minoriteteve, jo vetëm serbëve në Kosovë por edhe shqiptarëve në Serbi. Ajo që komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë është që të inkurajojë këtë marrëveshje, që t’i bëjnë protagonistët të kuptojnë që ky negocim do t’i çojë në Evropë”.