Pas gjashtë orësh kërkimesh është gjetur pa shenja jete trupi i një personi nën gërmadhat nga shembja e ish-hotelit Adriatik në Mitrovicë, njofton Klan Kosova.

Klan Kosova që po përcjell ngjarjen në vend të ngjarjes, ka mësuar se zyrtarë të Mjekësisë Ligjore tashmë e kanë marrë viktimën për obduksion.

Nehat Bahtiri, drejtor për Shpëtim në komunën e Mitrovicës, ka thënë se procesi i kërkimit ka qenë delikat sepse ka pas shpresa që viktima mund të ishte gjallë.

Ai bëri të ditur se viktima është Visar Behrami 27 vjeçar nga fshati Vidimriq i  Mitrovicës.

“Pas një pune shtatë orëshe, kemi arritur të gjejmë trupin e viktimës të cilin kemi shpresuar ta gjejmë të gjallë. E kemi gjetur pa shenja jete, u shprehim ngushëllime familjarëve.

“Procesi ka qenë shumë delikat sepse kemi shpresuar se viktima ishte ende gjallë. Jemi munduar me veprime të ngadalshme”, ka thënë ai.

Ish-hoteli Adriatiku, është shembur në orët e pasdites së të hënës.