Hyrje brenda botës së piktorit të madh Vincent Van Gogh, kjo është ajo që u mundësohet adhuruesve të artit në ekspozitën mbresëlënëse e cila është hapur në Bruksel.

Veprat e mjeshtrit holandez janë sjellë në jetë përmes teknologjisë 3D. Aty ka piktura të animuara, instalacione, video me iluzione optike dhe efekte të zërit që e bëjnë artin të gjallë, transmeton Klan Kosova.

“Mediat digjitale në vetvete janë arti, sepse këtu nuk jemi vetëm duke marrë piktura dhe duke i treguar ato sikur një fotografi. Ajo që ne po bëjmë është se po e eksplorojmë çdo pikturë. Ne jemi duke animuar çdo pikturë, po shkojmë pak më tej dhe me të vërtetë paraqesim veprat e tij brenda kontekstit të kohës kur ai i pikturoi ato”, ka thënë ideatori i ekspozitës, Mario Lacampo.

Ekspozita multimediale “Van Gogh – Eksperienca Immersive”, mund të vizitohet në Palais de la Bourse në Bruksel deri më 6 janar të vitit 2019.