Dje në Shtëpinë e Kulturës në qytetin e Shtimës, është hapur ekspozita e titulluar me emrin “Reinkarnacion Artistik”.

Kjo ekspozitë është hapur për nder të 10 vjetorit të vdekjes së piktorit, Sherif Beqa.

Në praninë e shumë mysafirëve dhe zyrtarëve të institucioneve lokale dhe qendrore, bashkëkohësit e artistit adresuan para të pranishëmve evokime kujtimesh nga krijimtaria e profesor Sherif Beqës si piktor si dhe nga veprimtaria e tij si atdhetar.

30 punime të realizuara në periudhën gjatë pushtimit dhe gjatë dhjetëvjetëshit të parë të lirisë. Veprat artistike të piktorit që u përkujtua, sa me mall, e po aq edhe me krenari, ishin të realizuara në teknika dhe materiale të kombinuara, tema boshte e të cilave ishte motivi i atdhedashurisë, duke pasqyruar vuajtjet e popullit të shtypur nga tirania serbe para çlirimit, ndërsa një pjesë e veprave kishin reflektimin e realitetit të ri në vend, duke mos lënë anash as aspektin social dhe natyrën e vdekur, të realizuara me mprehtësinë artistike që e shquan autorin e këtyre veprave.

Ekspozita “Reinkarnacion Artistik”, do të jetë e hapur edhe gjatë dy ditëve të ardhshme, dhe mirëpret vizitorët, përcjellë Klan Kosova.