Fatos Arapi del rrallë nga shtëpia, për të marrë rrugën për nga kafenetë e tij të preferuara, ku dikur ndante orë të tëra me miq. Vitet e fundit për shkak të moshës (84 vjeç) ditët e tij kalojnë në apartament bri librave… Kjo tërheqje e heshtur e poetit u mungon miqve, apo dashamirësve të vargjeve të tij. Toli (i biri) mund të flasë pafund për të atin. Si njohës i mirë i letrave ai e di, që Fatosi nuk është vetëm babai, por dhe poeti.

Më shumë se 60 vjet krijimtari, Fatos Arapi më shumë se në vendin e tij vlerësimet i ka marrë nga kritika e huaj. Djaloshi që 64 vjet më parë u nis drejt Bullgarisë për të studiuar ekonomi, nuk do të ndahej asnjëherë nga ëndrra që kishte lindur qysh herët brenda tij, për të shkruar.

“Letërsia ka qenë ëndrra ime, sepse qysh në fillim kam kërkuar të studioja për letërsi, por kishte qenë e pamundur”, do të shprehej ai kohë më parë.

Në Sofjen e viteve 1949-1953 ku kreu studimet, ai përpiqej të lexonte çdo libër me poezi që i binte në duar. Djaloshi i gjatë, me flokët e hedhura lart e ndiente se letërsia ishte një ndjenjë nga e cila çdo ditë e më tepër do të bëhej i varur. Para se të udhëtonte drejt Sofies ai kishte botuar disa vargje në gazetën “Letrari i Ri”.

Puna e tij e parë ishte në vitin 1953 në Komisionin e Planit të Shtetit si Kryetar i Degës së “Artizanatit dhe Industrisë Lokale”. Në vitin 1954 ai u transferua në Teknikumin Financiar si mësues i asaj shkolle (Qyteti i Nxënësve) ku dha lëndët: Statistikë, Planifikim dhe Ekonomi Politike.

Shkrimin e Alda Bardhylit mund ta lexoni këtu.