Më 11 dhe 12 qershor në Ferizaj do të ketë festë.

Madje, ferizajasit dhe jo vetëm kanë një arsye të fortë për këtë – Ditën e Çlirimit.

20 vjet pas qyteti juglindor i vendit ka organizuar një festival që e përfaqëson atë: FerForest.

Ashtu siç mban edhe emrin, festivali i muzikës do të mbahet në Bjeshkët e Nerodimes, aty ku ka qenë një nga zonat operative të luftës së UÇK-së, njofton Klan Kosova.

FerForest Festival ofron muzikë 18 orë pa ndërprerë – në të do marrin pjesë shumë artistë të njohur kosovarë, por edhe shumë këngëtarë dhe DJ ndërkombëtarë.

Si pjesë e festivalit do të jetë edhe kampingu për ata që dëshirojnë të qëndrojnë gjatë gjithë kohës në natyrën e bukur të kësaj pjese – që edhe festivali ka për qëllim ta promovojë.

Ndërsa për të tjerët që nuk duan të jenë pjesë e kampingut është organizuar transporti nga Ferizaj në Nerodime dhe anasjelltas, njofton Klan Kosova.

Për këtë ngjarje muzikore tashmë kanë dalë edhe biletat në shitje, ato mund t’i gjeni në gjithë Kosovën.