Ilaçet për lehtësimin e dhimbjeve në përgjithësi nuk janë të rrezikshme, sigurisht nëse merren në doza të duhura. Por, ka raste kur njerëzit i konsumojnë ilaçet si të ishin karamele, duke i përdorur edhe për një dhimbje të lehtë. Ja cilat janë disa nga gabimet më të zakonshme që njerëzit bëjnë me ilaçet dhe çfarë mund të ndodhë si rezultat.

Merrni shumë ilaçe

Shumë njerëz mendojnë se duke dyfishuar dozën, do të dyfishojnë efikasitetin e ilaçit. Ata në fakt vetëm po rrisin rrezikun e efekteve anësore ose helmimit nga ilaçet. Duke dyfishuar apo trefishuar dozën e çdo ilaçi, rritet rreziku i të përzierave, acarimit të stomakut, ulcerës, dëmtimit të mëlçisë ose veshkave.

I përdorni shumë shpesh ilaçet për lehtësimin e dhimbjeve

Pa rekomandimin e mjekut nuk duhet të merrni ilaçe për lehtësimin e dhimbjeve më shumë se 1 ose dy ditë në muaj. Për shembull, duke marrë acetaminofen çdo ditë ose javë mund të rrisni rrezikun e dëmtimit të mëlçisë, madje edhe të vdekjes së parakohshme. Dhe, nëse një dozë e ulët e aspirinës mund të mbrojë zemrën nëse jeni të rrezikuar aktualisht nga sëmundjet e zemrës, ajo mund të rrisë edhe rrezikun e gjakderdhjes me 55% nëse abuzoni me të. Prandaj nëse ju duhen ilaçe për lehtësimin e dhimbjeve – për dhimbjet e kyçeve, kokës ose sëmundje të tjera kronike – duhet të konsultoheni me parë me mjekun që të merrni trajtimin e duhur.

Mendoni se të gjitha ilaçet për lehtësimin e dhimbjeve janë të njëjta

Jo të gjitha ilaçet funksionojnë njësoj në lehtësimin e dhimbjeve në pjesë të ndryshme të trupit. Për shembull, ibuprofeni funksionon në uljen e niveleve të inflamacionit, prandaj mund të përdoret për lehtësimin e dhimbjeve të shkaktuara nga artriti ose ënjtja, por mund të mos jetë aq efikas në lehtësimin e dhimbjeve të kokës. Në këtë rast acetaminofeni mund të jetë zgjedhje më e mirë, duke qenë se funksionin duke interferuar me receptorët e dhimbjes në kokë.

I përzieni ilaçet për lehtësimin e dhimbjeve me ato të rekomanduara nga mjeku

Kur shkojnë në farmaci, shumë njerëz nuk i marrin në konsideratë ilaçet që u ka rekomanduar mjeku. Por, shumë ilaçe që merren me recetë, si Oxycodone, Vicodin dhe Percocet, përmbajnë edhe acetaminofen. Prandaj, nëse nuk u kushtoni vëmendje dhe merreni edhe tylenol me to, mund të keni pasoja të rënda. Dozat e larta të acetaminofenit mund të shkaktojnë dëmtim të mëlçisë ose veshkave. Për më tepër, përzierja e ilaçeve kundër depresionit apo holluesit e gjakut me ibuprofenin ose naproksenin mund të rrisin rrezikun për zhvillimin e problemeve me veshkat, atakut në zemër ose shumë komplikacione të tjera shëndetësore.

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here