Rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 11 qershorit në Kosovë, krijuan një situatë të vështirë rreth formimit të qeverisë së re. Asnjë koalicion apo parti politike nuk doli fituese bindëse e zgjedhjeve, me çka janë kushtëzuar koalicionet e reja paszgjedhore, për formimin e qeverisë së re.

Koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma, si ftuese në këto zgjedhje, mori më se 34 për qind të votave, e që mund të sigurojë jo më shumë se deri në 40 ulëse në Kuvend.

Por, ky numër, sipas vlerësimeve të analistëve, nuk i mjafton këtij koalicioni ta formojë qeverinë, pavarësisht që si pjesë e saj, në bazë të Kushtetutës, duhet të jenë edhe komunitetet pakicë.

Qeveria konsiderohet e zgjedhur vetëm nëse merr shumicën e votave (61 vota) të të gjithë deputetëve nga 120 sa ka Kuvendi i Kosovës.

Analistë të çështjeve politike në Kosovë,  japin vlerësimet se si mund të arrihet që Kosova të krijojë qeverinë brenda një kohe të shkurtër pa krijuar bllokadë dhe vonesa.

Politologu Ramush Tahiri konsideron se procedurat janë shumë të qarta për krijimin e qeverisë dhe se nëse këto procedura respektohen, atëherë i mundësojnë Kosovës që brenda 45 ditëve ta ketë qeverinë.

“Me Ligj dhe me Kushtetutë dhe me precedentët që i kishim në zgjedhjet e vitit 2014, me mendimin e Gjykatës Kushtetuese, pas certifikimit të zgjedhjeve dhe pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, përfshirë edhe zgjedhjen e organeve të Kuvendit dhe verifikimin e mandateve të deputetëve, presidenti i Kosovës, në konsultim me partinë apo koalicionin fitues, në këtë rast me koalicionin PAN, e cakton mandatarin dhe për këtë e njofton Kuvendin e Kosovës”.

“Nëse PAN insiston ende në Ramush Haradinaj si kandidat të saj për kryeministër, atëherë presidenti e dekreton Haradinaj mandatar për formimin e qeverisë”, thotë Tahiri.

Sipas tij, mandatarit më pas i mbeten edhe 15 ditë që të krijojë koalicionin qeverisës.

“Pasi që PAN i ka 38 apo 39 deputetë, e që nuk është e mjaftueshme për të votuar qeverinë, sepse duhen 61 deputetë, ata duhet të bëjnë koalicion nga partitë ose me Vetëvendosjen që i ka 31 deputetë ose me LDK-në që i ka 30 dhe plus komunitetet, që janë 20. Pra, varet çfarë koalicioni të madh mund të bëjë Ramush Haradinaj”, thotë Tahiri.

Shkrimin e plotë të REL mund ta lexoni këtu.

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here