Ministrja e Integrimit Europian Dhurata Hoxha, ka komentuar analizën e organizatës Freedom House mbi problemet e vërejtura në Kosovë gjatë vitit të fundit, por edhe lidhur me ambiciet dhe sfidat e Kosovës.

Hoxha për Zërin e Amerikës ka thënë Qeveria e Kosovës ka miratuar së fundi 11 ligje, që janë të lidhura me luftën kundër korrupsionit, njofton Klan Kosova.

”Shpresojmë që këto ligje të plotësojnë zbrazëtirat dhe do të na ndihmojnë të jemi më efikasë e të ketë llogaridhënie më të madhe”.

Sipas saj ”ka shpresa që brenda vitit qytetarët e Kosovës të lëvizin lirisht në vendet e BE-së, sikurse fqinjët e tyre dhe se më 17 prill presin raportin e vlerësimit të kritereve që i janë vendosur Kosovës për të përparuar në integrimet evropiane”.

Ndërsa lidhur me incidentin e deportimit të gjashtë shtetasve turq në Ankara, Ministrja e Integrimit Europian tha se ka filluar një hetim që pritet të përfundojë shumë shpejt.

”Nga ky hetim do të kemi një raport shumë transparent, me të cilin do të njihet jo vetëm populli i Kosovës, por edhe partnerët ndërkombëtarë”, ka përfunduar ajo, njofton Klan Kosova.