Takimi, në të cilin u vlerësuan ndër të tjera marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy popujve të Italisë dhe Shqipërisë, nuk e pengoi ish-ministrin e Jashtëm italian, Franco Frattini, dikur edhe ish-komisioner i BE-së për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë, të shfaqte entuziazmin e tij për ndryshimin e Tiranës.

Frattini kishte qenë në kryeqytetin shqiptar për herë të fundit në vitin 2013, ndërkohë që sot, kur rikthehet pas plot 5 vitesh, ai ka mbetur i habitur nga transformimi i madh që ka pësuar Tirana. Dhe këtë e shprehu gjatë pritjes së organizuar në Bashkinë e Tiranës nga kryebashkiaku Erion Veliaj, njofton TCH, përcjell Klan Kosova.

“Është një gëzim i madh të takohem me kryebashkiakun e Tiranës, i cili më mirëpriti këtu si një mik dhe si kryebashkiak i qytetit ku jam ‘Qytetar Nderi’. Vijoj të kem një afeksion të madh për këtë qytet, për qytetarët e Tiranës dhe gjithë Shqipërinë. Kam qenë këtu për herë të fundit në 2013-n dhe sot gjeta një qytet më të bukur, më të pastër, e mbi të gjitha me rrugë të mrekullueshme, që duhet t’i kemi edhe në Romë, ku fatkeqësisht ka shumë gropa. Kështu që kryebashkiak, eja edhe në Romë dhe të na tregosh si bëhen mirë këto punë”, tha Frattini.

Veliaj tha se Franco Frattini është një nga personalitetet që ka dhënë një kontribut të spikatur në forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Italisë, për mbështetjen e pakursyer për integrimin europian dhe, në veçanti, për udhëheqjen e procesit historik të lëvizjes pa viza të qytetarëve shqiptarë.