Procesi i formimit të ushtrisë së Kosovës nuk ka kthim mbrapa, pasi është projektuar në koordinim me miqtë ndërkombëtarë dhe pavarësisht kundërshtimeve aktuale të NATO-s, kjo përsëri do të mbetet mbështetëse e ushtrisë.

Kështu ka theksuar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Kadri Kastrati, duke shtuar se marrëdhëniet e Kosovës me NATO-n do të forcohen edhe më tej pas 14 dhjetorit 2018, kur do të votohet në Kuvend për transformimin e FSK-së në ushtri.

“Kosova çdo lëvizje të kapaciteteve e ka bërë në koordinim me shtetet partnere, me SHBA-në, me Gjermaninë, me Italinë e me Francën dhe me shumë shtete të tjera që i kanë standardet më të larta të NATO-s. Për këtë arsye mendoj që NATO-ja do të mbetet mbështetëse e kësaj force”, ka theksuar mes tjerash Kastrati.