Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti, sot takoi drejtorët e shkollave të Pejës që ishin të kryesuar nga Drejtori Komunal i Arsimit në Pejë, Besim Avdimetaj.

Hoti para drejtorëve të shkollave shpalosi Programin Nacional për Rininë ku edhe njoftoi për fillimin e garës në Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik që nis nga java e ardhshme.

“Kam kënaqësinë t’iu njoftoj se që nga 19 shkurti i këtij viti do të fillojë gara në Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik. Ne kemi hartuar gjithë dokumentacionin e nevojshëm për garën i cili është duke u shpërndarë nëpër shkolla. Tani është radha juaj që të filloni procesin e garës për të cilin jam i bindur se ju do ta bëni si është më së miri”.

Avdimetaj në emër të drejtorëve të shkollave theksoi gatishmërinë për ta mbështetur Programin Nacional për Rininë.

“Ne jemi të gatshëm për garën dhe besoj se në komunën tonë programi do të zhvillohet në mënyrën më të mirë të mundshme”.

Programi Nacional për Rininë përfshin të gjithë nxënësit e nivelit parauniversitar dhe universitar në Republikën e Kosovës në tri fusha: Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik, Dituri dhe Sport​.