Atë që të hënën e bëri Përfaqësuesja A, kosovarët nën moshën 21 vjeçare e vazhduan një ditë më pas.

Dardanët shkëlqyen në ballafaqim ndaj Turqisë, në kuadër të eliminatorëve për Europianin e vitit 2021.

Arbenit Xhemajli me këtë gol në minutën e 40-të,m zhbllokoi shifrat në stadiumin “Fadil Vokrri” duke vendosur kështu edhe rezultatin e pjesës së parë.

E me të filluar e dyta, mysafirët arritën të shënojnë duke barazuar rezultatin në 1 me 1, me anë të Halil Dervisoglut.

Kjo nuk ndikoi aspak në disponimin e kosovarëve, që pa rreshtur sulmuan në kërkim të golit të dytë.

Atë e gjetën në minutën e 72, kur Mirlind Daku me këtë goditje precize mposhtë portierin kundërshtar.

E për t’ia bërë me dije turqve se pikët e plota do të mbesin këtu, u kujdes Lirim Kastrati, duke vendosur shifrat përfundimtare, Kosova 3, Turqia 1.

Kjo është fitorja e dytë e kosovarëve në po kaq ndeshje të zhvilluara në grupin 3, të cilin tani e kryesojnë me 6 pikë.
Ndeshjen e radhës Dardanët e zhvillojnë kundër Anglisë.