Deputeti i LDK-së, Naser Rugova, në një konferencë për media, ka pasë shumë kritika për gjendjen në sistemin shëndetësor, në veçanti Ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili.

“Kjo qeveri dhe partnerët e koalicionit qeverisës merren me njëri-tjetrin dhe nuk e ushtrojnë funksionin e vet ligjor dhe kushtetues, detyrat që kanë si mekanizma ekzekutiv institucional”.

“Definitivisht, kjo Qeveri nuk e ka prioritet Sektorin e Shëndetësisë. Gjendja në këtë sektor vazhdon të jetë alarmante”.

“Është nevojë imediate për reformë legjislative, të Ligjit për Shëndetësinë. Është nevojë imediate që të vijë në Kuvendin e Kosovës Ligji për Transplantin e Qelizave, Indeve dhe Organeve sepse jemi dëshmitarë që pacientët kosovarë detyrohen të shkojnë në shtetet e regjionit dhe edhe më larg ku shpenzohen dhjetëra miliona euro”.

“Kemi pasë premtime pompoze për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, për aktivizimin e këtij Fondi. Kanë kaluar 13 muaj dhe nuk ka asgjë të re nga premtimet e Ministrit që e udhëheqë këtë dikaster”.

Rugova tha se ka mungesë enorme të medikamenteve dhe materialit shpenzues elementar në Spitalet Regjionale dhe në QKUK duke shtuar se shëndetësia në vend kurrë më keq nuk ka qenë, njofton Klan Kosova.

“Qendrat Diagnostike e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar nuk funksionon as 40 %. Pacientët në QKUK në çfarëdo kohe kur ata kanë nevojë janë të obliguar t’i drejtohen spitaleve private apo edhe institucioneve private shëndetësore, jo vetëm në Prishtinë po kudo në qendrat e Kosovës ku ka përkujdesje shëndetësore dytësore”.

Sipas tij, ka edhe presion ndaj personelit shëndetësor, por nuk ka dhënë më shumë detaje lidhur me këtë temë.

“Fatkeqësisht kohëve të fundit kemi vërejtur edhe presione politike mbi personelin shëndetësor, po vazhdojnë hapat e tjerë me emërime politike me njerëz joprofesional që po e degradojnë sistemin shëndetësor të Kosovës, edhe ashtu të brishtë në këto dy dekadat e fundit”.

Ai ka thënë se Ministri i Shëndetësisë dhe gjithë Qeveria e kryeministrit Ramush Haradinaj duhet të “shkojë në shtëpi”.

“Të gjitha këto fakte, statistika, argumente, shkelje ligjore, politizime dhe neglizhenca tregojnë që njeriu që udhëheqë këtë dikaster (Uran Ismaili) ka dështuar dhe urojmë që orë e më parë ky dhe Qeveria në të cilën ai është pjesë të shkojnë në shtëpi”.

Deputeti i LDK-së në këtë konferencë ka folur edhe për Sektorin e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Edhe ky sektor që është shumë i ndjeshëm dhe përfshin një fokus grup të jashtëzakonshëm të shoqërisë kosovare është katandisur si është më keq. Mosrespektimi i Ligjit të Punës dhe Ligjit për Siguri në Punë ka bërë që vetëm muajin e fundit, dy të rinj në Kosovë ta humbin jetën”.

“Vetëm në sektorin e ndërtimtarisë kemi 10 humbje të jetës, 18 në sektorin privat. Vetëm në sektorin e ndërtimarisë kemi 7 rënie nga lartësia”.

Ai kërkoi që dikush të japë përgjegjësi për jetët e humbura.

“Kërkojmë me urgjencë që në plotësim-ndryshimin e Inspektoriatit të Punës, shteti një herë e përgjithmonë të vë dorë mbi këtë sektor, ta kemi një analizë të qartë se sa inspektorë të punës i duhen Kosovës”.

“Jeta e njeriut është më e vlefshme se moskoordinimet institucionale, se papërgjegjësia politke dhe morale e kësaj qeverisje, mbase më e dobëta prej vitit 1945 – e kanë shkatërruar imazhin e Kosovës dhe e kanë vrarë shpresën e qytetarëve për një jetë më të mirë”.

Deputeti i LDK-së kritikoi ashpër edhe Ministrin e Punëve të Brendshme, Bejtush Gashin.

“Kemi informacione të verifikuara që 200 policë që janë aktiv në Policinë e Kosovës marrin pensione invalidore. Ma gjeni një shtet në rruzullin tokësor që kjo ndodh – polici që duhet të jetë në gjendje të mirë mentale dhe fizike merr pension invaldior”.

“Ky Ministër i Punëve të Brendshme që bën sehir kujt i shërben dhe me çka merret. Kjo tregon për logjikën, karakterin, mungesën e dijes dhe vizionit të kësaj Qeverie me logjikë mesjetare”.

Në këtë konferencë ka folur edhe deputeti tjetër i LDK-së, Haxhi Abdyli, i cili ka thënë se “koalicioni i territ po e pengon zhvillimin e vendit”.

Edhe ai ka folur për gjendjen në sistemin shëndetësor duke shtuar se Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, po lavdërohet me fotografi, që sipas tij, meritë për këtë kanë vetë mjekët që kryejnë një punë të mrekullueshme.

Abdyli ka shtuar se që 13 muaj pop resin që të vijë Ligji për Sigurime Shëndetësore por i njëjti nuk ka ardhur.

Madje sipas tij, kosovarët nuk do t’i kenë sigurimet shëndetësore as në vitin 2019.