Feston ai dhe bashkë me të e gjithë Spanja. Marc Marquez shpallet për herë të tretë në karrierë kampion Bote në Moto Gp, duke u bërë kështu piloti më i ri në moshë vetëm 23 vjec që arrin të fitojë 3 tituj në klasin Mbretëror. Është një dominim i spanjollëve ai në Moto Gp, sepse me suksesin e Marquez në 2016-tën, shkon në 6 nr i titujve të fituar nga pilotët iberikë në 7 vitet e fundit. E pamundura u bë realitet në Japoni me djaloshin nga Cervera që arriti të shpallej zyrtarisht kampion Bote, 3 gara përpara fundit të sezonit. Triumfi në këtë sezon ishte thjeshtë cështje kohe por Marquez ia arriti shumë shpejtë qëllimit duke fituar garën e Motegit dhe duke përfituar nga paraqitja zhgënjyese e dy pilotëve të Yamahas.

Rossi u rrëzua teksa ishte në ndjekje të Marquez ndërsa e Lorenzo e imitoi kur piloti i Repsol Hondas po shkonte drejt titullit të tij të 3-të. Herë e parë në këtë sezon që dy pilotët e Yamahas nuk grumbulluan asnjë pikë. Në podium për t’ia bërë më të bukur festën Marquez-it u ngjitën Andrea Dovizioso me Ducatin dhe Marc Vinales me Suzukin. Ky i fundit vitin tjetër në drejtimin e një motori Yamaha do të kërkojë t’ia bëjë jetën të vështirë 3-herë kampionit të Botës. 8-shja e parë në Motegi u kompletua nga emra të tillë si Aleix Espargaro, Cal Crutcchlow, Pol Espargaro, Alvaro Bautista dhe Danilo Petrucci. Të gjithë e dinin që fitimi i titullit ishte vetëm cështje kohe por askush nuk e kishte imagjinuar se spanjolli i talentuar do të festonte pikërisht në Japoni në shtëpinë e Hondas.

Dhuratë e dyfishtë ajo e Marquez për skuadrën me qëndër në Tokyo, një tjetër garë e fituar në këtë sezon dhe titulli kampion për pilotë. Edhe pse duhet pranuar që dhurata më e madhe ishte ajo që u bë Marquez-it nga Rossi e Lorenzo me rivalët e drejtëpërdrejtë të spanjollit që u rrëzuan në momentin më të papërshtatshëm të sezonit. Është vetëm 23 vjec por deri tani ka fituar 3 tituj në Moto Gp, në 2013-tën, 2014-tën dhe 2016-tën. Valentino Rossi duhet të ndihet i kërcënuar sepse Marquez ka një karrierë të gjatë përpara dhe me këto statistika është vërtetë i frikshëm. Mund të jetë pikërisht ai që mund të thyejë rekordin e Doktorit duke kaluar numrin e 7 titujve në klasin Mbretëror dhe 9 në total që numëron italian. Nëse marrim parasysh edhe titujt e fituar në 125 kubik dhe Moto 2, 23-vjecari i ka që tani 5 tituj Botërorë, 4 më pak se Rossi. Nëse ecën me këto ritme Marc Marquez me siguri mund të rishkruajë historinë në Moto Gp.

Për t’u kthyer te gara e Motegit, ishte një dominim total ai i 23-vjecarit. Marquez që nga momenti që parakaloi Rossin dhe Lorenzon në xhirot e para, arriti të komadonte garën sipas mënyrës së tij. Vetë spanjolli nuk e priste që të fitonte zyrtarisht titullin tre gara përpara fundit. ” Isha me fat, mendoja se do të ishte e pamundur të shpallesha kampion në Motegi dhe realisht nuk e prisja, por ja që ja dola. Pas gabimeve në të shkuarën këtë herë ishte e rëndësishme që të fitoja, kam mësuar shumë nga 2015-ta, deklaroi Marquez në përfundim të garës, shkruan Supersport.al .

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here