Kabineti i Qeverisë së Kosovës gjatë ditës së sotme ka mbajt mbledhjen e parë për vitin 2019, njofton Klan Kosova.

Kështu kabineti qeveritar ka miratuar koncept-dokumentin për administrimin e resurseve ujore, i cili ka evidentuar nevojën e plotësimit dhe ndryshimit të ligjit për ujërat.

Me qëllim të stimulimit dhe unifikimit të tregut digjital, është aprovuar edhe vendimi për themelimin e Komisionit Ndërinstitucional për shqyrtimin e Marrëveshjës gjithëpërfshirëse me Newdea Inc.

Pos këtyre në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës vazhdimin e ndarjeve buxhetore për muajin shkurt  të vitit 2019 të përcaktuara me Ligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018, si dhe ka miratuar Rregulloren  për themelimin dhe zbatimin e funksionit të auditimit të brendshëm në subjektin e sektorit publik dhe të financuara nga fondet publike.

“Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar ka miratuar Koncept dokumentin për administrimin e resurseve ujore, i cili ka evidentuar nevojën e plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit për ujërat. Koncept dokumenti evidenton ndryshimet e kërkesës për ujë në Republikën e Kosovës, si pasojë e zhvillimit ekonomik dhe ndryshimeve të standardit të jetës në vendin tonë. Ligji duhet të adresojë edhe çështjet e pronës, financimit dhe të drejtës ujore”, shkruhet në komunikatën e dërguar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.

Në mbyllje të mbledhjes se sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri Ramush Haradinaj ka theksuar se viti 2019 do të jetë vit i fokusimit të angazhimit të Qeverisë për zhvillimin ekonomik të vendit dhe ka kërkuar nga të gjithë që të aktivizojnë të gjitha resurset në ketë drejtim.