Shoqata “Miqtë e Amerikës” ka reaguar ndaj fjalimit luftënxitës të kreut të Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Sheshel, që e bëri në Kuvendin e Serbisë.

Sheshel ka kërkuar që Serbia të ketë në gatishmëri çdo herë 1 mijë anëtarë të ushtrisë dhe policisë serbe të hynë në territorin e Kosovës, njofton Klan Kosova.

Shoqata e konsideron shokues faktin që nuk kishte reagime kundërshtuese nga deputetët prezentë në Kuvendin e Serbisë.

“Fakti që përfaqësuesit më të lartë të shtetit serb atëbotë ishin pjesë e strukturave udhëheqëse e që sot janë udhëhëqesit kryesorë të shtetit serb, vetëm e shtojnë dozën e mosbesimit e rrezikut të veprimit të ushtrisë e policisë serbe”, ka shkruar në reagim shoqata.

Po ashtu, “Miqtë e Amerikës” kanë apeluar te institucionet vendimmarrëse të shtetit të Kosovës që t’i kenë në dispozicion 500 policë e pjestarë tjerë që t’i mbrojnë territoret shtetërore nga ky kërcënim duke thënë se nuk dojnë luftë por mbrojtje.

“Deklaratat e zyrtarëve serbë vetëm po trashën. Nga ajo e Vuçiç ku i arsyetoi veprimet e kasapit Millosheviq deri tek kjo e fundit e Sheshelit.

Mendojmë se institucionet e sigurisë së Kosovës, KFOR e EULEX duhet ta analizojnë dhe pse jo ta zbatojnë edhe tek ne, idenë e propozuar nga shteti kroat për pjestarët e vet, që të gjithë pjestarët e aftë që jetojnë në kufi me Serbinë të armatosen për shkaqe sigurie”.