Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar pas përleshjeve që kanë ndodhur në disa nëndegë të LDK-së.

Ai në një status në Facebook ka thënë se këto sjellje janë të papranueshme ndërsa ka fajësuar mediat që sipas tij po prodhojnë lajme për njerëzit nga partitë e tjera që po i prishin tubimet e partisë që udhëheq ai.

“Është e natyrës së mediave publike e private që të prodhojnë lajme, edhe me disa sjellje të papranueshme të disa individëve nga nëndegët e LDK-së. Por s’mund ta kuptoj ngarendjen e këtyre individëve që të prodhojnë lajme me budallalleqet e tyre dhe të njerëzve nga partitë e tjera që prishin tubimet e LDK-së”.

I pari i LDK-së ka thënë po ashtu se proceset zgjedhore që nuk e respektojnë statutin e LDK-së do të anulohen, njofton Klan Kosova.

“Të gjithë duhet ta dijnë se çdo proces zgjedhor i cili nuk respekton Statuin e LDK-së, Rregulloren e zgjedhjeve dhe që nuk është transparent ndaj anëtarësisë nuk do të pranohet. Si Kryetar i LDK-së do të kërkoj nga organet përgjegjëse që ato të anulohen”.

“Për rregullësinë e procesit zgjedhor vendimtare janë dispozitat e Statutit të LDK-së dhe Platforma zgjedhore, e jo konstatimet nga debatet e atyre që s’kanë asgjë të përbashkët me LDK-në”.