Komiteti Olimpik i Kosovës ka njoftuar se xhudisti Akil Gjakova është sportisti që do ta bartë flamurin e Kosovës në ceremoninë hapëse të Lojërave Evropiane.Lojërat e Dyta Evropiane në Minsk, nisin me ceremoninë që do të mbahet të premten më 21 qershor.

KOK-u ka njoftuar se Akil Gjakova do ta bartë flamurin e Kosovës në stadiumin e Minskut, në ceremoninë e cila në kohën tonë lokale nis me fillim prej orës 21:00.

Ky vendim, sipas Komitetit Olimpik, u mor pasi pasi tri xhudistet tjera, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova e Distria Krasniqi, do të mungojnë në ceremoni shkaku i shortit që hedhet të premten mbrëma dhe garave që i zhvillojnë të shtunën në mëngjes.

Majlinda Kelmendi e kishte bartur flamurin e Kosovës në ceremoninë hapëse të Lojërave të para Evropiane, që u mbajtën në Baku të Azerbajxhanit në qershorin e vitit 2015.