Procesi i digjitalizimit të të dhënave të vjetra penale ka filluar.

Kjo është bërë në një ceremoni ku kanë marrë pjesë zyrtarë të Bashkimit Evropian, të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Sistemit të Drejtësisë në vend.

Përmes këtij sistemi, do të digjitalizohen të gjitha të dhënat e personave të dënuar për kryerje të veprave penale që nga qershori i vitit 1999 deri në ditët e sotme, njofton Klan Kosova.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm këtë projekt, pasi që sipas tij, deri më tani ka qenë e mundur lehtësisht manipulimi në lidhje me të kaluarën kriminale.

Ai ka shtuar që me digjitalizimin e të dhënave kjo gjë që do të jetë e pamundur.

Si shumë të rëndësishëm këtë projekt e ka vlerësuar edhe Luigi Brusa, Shefi i Zyrës së Bashkëpunimit të BE-së në Kosovë duke e krahasuar atë me sistemin e VAR-it në futboll.

Përmes këtij projekti është bërë e mundur edhe krijimi i Sistemit Kombëtar Qendror të Evidencës Penale të Kosovës.