Ministria e Kulturës në Shqipëri, ka reaguar të mërkurën pas lajmit se instrumenti i “lahutës nuk është shqiptare por serbe”.

Nëpërmjet konferencës për medie, institucioni më i lartë i kulturës në shtetin shqiptar, ka sqaruar se janë në komunikim të përhershëm me misionin e saj në UNESCO, dhe me këtë rast:

“Asnjë vendim nuk është marrë dhe në asnjë rast Komiteti Ndërqeveritar për Ruajtjen e Pasurisë Jo materiale të UNESCO-s nuk është shprehur, siç cilësohet gabimisht në disa media, se “lahuta nuk është shqiptare por serbe”.

Në sesionin e 13-të të Komitetit Ndërqeveritar për Ruajtjen e Pasurisë Jo materiale, u bë regjistrimi i nominimit “Të kënduarit në shoqërimin e Gusle” (instrumenti që në shqip quhet lahuta) prezantuar nga Serbia, në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jo materiale të Njerëzimit.

Ministria e Kulturës thekson se

“Praktika kulturore e “Të kënduarit me lahutë” është historikisht e pranishme dhe është një praktikë kulturore e gjallë në një zonë shumë të gjerë të Evropës Juglindore, jo vetëm në Shqipëri, Kosovë, por edhe në Mal të Zi, në Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, njofton ministria e Kulturës, përcjellë Klan Kosova.

Të kënduarit me lahutë është nga ato raste kur mund të zbatohet propozimi shumëkombësh bazuar në faktin se ato vende ndajnë praktikën kulturore në fjalë, si një traditë historike dhe dukuri kulturore të gjallë dhe asnjë vend nuk përjashton tjetrin.

Ministria e Kulturës së Shqipërisë, është tashmë në kontakt zyrtar me Ministrinë e Kulturës së Malit të Zi, për të vijuar me vullnet të përbashkët procedurën për zgjerim të pjesëmarrjes në këtë regjistrim edhe të Shqipërisë, dhe të vendeve të tjera të Evropës Juglindore, që kanë dëshirë t’i bashkohen këtij procesi për këtë aset kulturor specifik.