U vetëvra, apo e vranë? I futi plumbin vetes për shkak të sedrës së sëmurë, apo dikush ia shkrepi revolen mu në zemër atë ditë të ftohtë dhjetori? Se çfarë ndodhi atë natë në dhomën e gjumit të ishkryeministrit shqiptar, numrit 2 të Shqipërisë komuniste, Mehmet Shehut, nuk është zbardhur as sot e kësaj dite.

Përmes hapësirave që i krijon letërsia, mjeshtërisht Ismail Kadare ka ndërtuar mbi këtë histori të vërtetë një roman, titulluar “Pasardhësi”, tashmë ngjitur edhe në skenën e teatrit.

Nën të njëjtin titull, por me regji të regjisorit maqedonas Slobodan Unkovski, kjo vepër e Kadaresë shfaqet sot premierë në skenën e Teatrit Kombëtar, si një produksion i Teatrit Kombëtar të Kosovës. “‘Pasardhësi’ vjen në Tiranë si pjesë e kalendarit artistik të përbashkët Shqipëri­Kosovë. Vepra është pritur mjaft mirë në Prishtinë, duke u konsideruar si shfaqja më e arrirë, e mbështetur mbi një vepër të Kadaresë, megjithatë, do të duhet edhe mendimi i publikut të Tiranës për ta “ligjëruar” këtë pretendim.

Vetë aktorët që interpretojnë në këtë shfaqje, si edhe regjisori maqedonas, janë shprehur të kënaqur nga produkti i ngjitur në skenë dhe pritja e spektatorit.

“Nuk ishte e lehtë, sepse e gjithë historia është në mënyrë narrative, nuk ka aksion klasik, është vetëm bisedë, por mendoj që me shumë punë nga të gjithë kemi arritur një rezultat me të cilin jam i kënaqur.

Mbi të gjitha, jam i kënaqur se si kanë ecur gjërat dhe se si ne kemi arritur që ta shfaqim këtë vepër, pa përmendur asnjë person historik dhe pa shkuar shumë nga faktografimi dhe dokumentari”, është shprehur menjëherë pas premierës regjisori Slobodan Unkovski, sipas të cilit “Pasardhësi” është një interpretim i lirë i të kaluarës së Shqipërisë, por edhe në Ballkan, duke qenë një periudhë e kaluar ngjashëm edhe në vende të tjera.

Vepra erdhi e adaptuar për skenë nga Goran Stefanovski. Interpretojnë aktorët Çun Lajçi, Lumnie Muqaj­Sopi, May­ Linda Kosumoviq, Armend Baloku, Bislim Muqaj, Bajrush Mjaku, Ismet Azemi, Adrian Morina, Shengyl Ismaili, Xhevat Qorraj, Shpejtim Kastrati, Basri Lushtaku, Armend Smajl, Sheqerie Buqaj, Arta Selimi, Albulena Kryeziu­ Bokshi dhe Semira Latifi.

 

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here