Më 19 shtator 2013, zyrtari doganor i EULEX-it, Audrius Šenavicius, humbi jetën kur persona të panjohur shtënë me armë zjarri ndaj automjetit të tij në veri të Kosovës. Sot, ushtruesi i detyrës së Shefit të EULEX-it, Bernd Thran, dhe një delegacion nga Policia e Kosovës i udhëhequr nga Drejtori i Përgjithshëm Rashit Qalaj, vizituan vendin ku u qëllua i ndjeri dhe bënë nderime.

“Sot kujtojmë kolegun tonë të dashur Audrius Šenavicius, i cili u vra në mënyrë tragjike në këtë datë në vitin 2013, gjersa ishte në krye të detyrës. Audrius ishte koleg i përkushtuar dhe prind, bashkëshort, dhe mik i dashur. Sot kujtojmë edhe familjen dhe miqtë e Audrius, të cilët ende me dhimbje të thellë presin që autorët e vrasjes së tij të nxirren para drejtësisë, ” tha ushtruesi i detyrës së Shefit të Misionit Bernd Thran, i cili në kujtim të Audrius vuri një kurorë tek vendin ku ishte vrarë.

Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm i policisë së Kosovës, Rashit Qalaj deklaroi se “Sot Policia e Kosovës shënon humbjen e një kolegu të EULEX-it i cili u vra në mënyrë tragjike. Unë besoj se ne, si Polici e Kosovës, kemi obligimet tona edhe humane ndaj kolegëve që janë vrarë. Ne e trajtojmë kolegun tonë nga EULEX-i si të ishte pjesëtar i Policisë së Kosovës. Ne do të bëjmë përpjekje maksimale që kryerësi i krimit të gjendet.”

“Prania e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, në vendin ku u qëllua Audrius do të thotë shumë për ne dhe tregon përkushtimin e Policisë së Kosovës për të vazhduar hetimet për këtë krim të rëndë, tani që EULEX-i nuk ka më mandat për ta bërë këtë. Kemi humbur një koleg të vlefshëm, dhe drejtësia duhet të vihet në vend ,” shtoi Thran.

EULEX në fund i ka bërë thirrje të gjithë atyre që mund të kenë informacione të cilat do t’i ndihmonin policisë në zbardhjen e rastit, duke treguar se ofrojnë një shpërblim prej 82.000 eurosh për informacione që çojnë në arrestimin dhe dënimin e kryesit apo kryerësve të kësaj vrasjeje.