Zëvendësministri Rexhep Hoti, ka pritur sot në takim shkrimtarin gjerman Rüdiger Schaper, autori i cili ka shkruar biografi për Aleksandër Moisiun, aktorin e madh shqiptar me famë botërore.

Pjesë nga ky botim sot do të lexohen në Teatrin Kombëtar të Kosovës në shqip dhe gjermanisht, ku pjesëmarrës do të jetë edhe vet Schaper , i cili ndodhet për vizitë në Kosovë.

Ndër çështjet që u diskutuan në këtë takim është edhe projekti që parasheh botimin e një vepre të re për Aleksandër Moisiun, ku do të përfshihen 51 letërkëmbime mes aktorit dhe të dashurës së tij, Sonja Wiber, në fund të jetës së tij, rreth viteve 1934-35.

“Këto letërkëmbime janë të pabotuara dhe do të jetë në interes për lexuesin shqiptar t’i ketë në dorën e tij”, ka vlerësuar Hoti.

Gjithashtu, në kuadër të botimit janë të parapara të përfshihen edhe një studim i autorit Schaper për Moisiun, fotografi të pabotuara më parë dhe një pjesë artistike në fund të botimit, e cila edhe do të mund të inskenohej. E në kuadër të projektit, në Prishtinë, do të realizohet edhe një ekspozitë me fotografi të aktorit.