Drejtori i Agjencisë për Inteligjencë, Shpend Maxhuni, ka raportuar sot me dyer të mbyllura para Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Kjo mbledhje për raportim është thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje për arsye të emërimit të agjentit serb Branislav Nikoliq (i shkarkuar) nga presidenti Hashim Thaçi si këshilltar i tij, njofton Klan Kosova.

Anëtari i Komisionit për Mbikëqyrje, Faton Topalli, foli në një konferencë për media ndërsa tha se akuzat që i drejtohen Branislav Nikoliqit ende nuk janë vërtetuar por janë duke punuar në këtë drejtim.

”Është duke u punuar në këtë drejtim. Ajo që dihet deri tani është se Branislav Nikoliq ka qenë anëtar i bordit të PTK-së, është emëruar në 2012 nga presidenti Hashim Thaçi në këtë pozicion. Ai merr edhe pagë nga presidenca për aq sa jemi të njoftuar nga 2016. Ekziston një raport i njohjes së mëhershme të presidentit Thaçi me Nikoliq”.

”Akuza e cila i bëhet Branislav Nikoliq nuk është vërtetuar ende dhe organet tona janë duke u marrë për këto çështje”.

Topalli ka bërë të ditur se në këtë mbledhje kanë diskutuar edhe në lidhje me mosemërimin e Inspektorit të Përgjithshëm në AKI nga ana e presidentit dhe kryeministrit, njofton Klan Kosova.

”Në mbledhje diskutuam edhe për një çështje tjetër, në AKI nuk është emëruar ende një inspektor i përgjithshëm. Ky vend është që nga marsi i këtij viti i lirë, dhe ky funksion është kontrollues në AKI. Përgjegjës për emërimin e Inspektorit të Përgjithshëm është presidenti dhe kryeministri i Republikës së Kosovës. Është shqetësim i përbashkët që ky funksion kontrollues mbi AKI-në nuk është në funksion. Pra kemi AKI-n tash e tre muaj pa kontroll të brendshëm ndaj apeloj tek presidenti dhe kryeministri ta emërojnë Inspektorin e Përgjithshëm të AKI-së”.