Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, i njohur me nofkën “Remi” ka kërkuar nga Paneli për lirim me kusht që ta lirojë atë nga burgu. Pretendon se i plotëson të gjitha kushtet siç është vuajtja e dy të tretave të dënimit; se nuk do të kryejë më vepër penale. Përkundrazi, sipas kërkesës, Mustafa ka qenë dhe është i përkushtuar për ndërtimin e një shteti ligjor.

Rrustem Mustafa, po kërkon që mos ta vuajë pjesën e mbetur të dënimit me burgim prej katër vjetësh. Ai ka kërkuar nga Paneli për lirim me kusht që ta lirojë nga burgu i Smrekonicës ku po e kryen vitin e fundit të dënimin me burgim për krime.

Mustafa, i dënuar me katër vjet burgim tashmë ka vuajtur dy të tretat e shqiptuara. Ai ka shkuar në vuajtje të dënimit në fillim të këtij viti pasi Gjykata e Apelit vërtetoi aktgjykimin e shkallës së parë. Bashkë me të janë dënuar edhe Latif Gashi me gjashtë vjet burgim dhe Nazif Mehmeti me tri vjet.

Në kërkesën e ushtruar nga avokati i tij, Aziz Rexha, thuhet se tashmë janë plotësuar kushtet që Mustafa të lirohet me kusht. Është thënë se ka vuajtur dy të tretat e dënimit, se qëllimi i dënimit është arritur.

Avokati garanton se Mustafa nuk do të kryejë më asnjë krim, përfshirë krime lufte sepse sipas tij, lufta ka përfunduar dhe nuk do të përsëritet më në Kosovë.

Ka garantuar po ashtu se Mustafa nuk do të kryejë kurrfarë vepre penale. Bile sipas tij, Mustafa ka qenë dhe është i përkushtuar për ndërtimin e një shteti ligjor dhe sundim të ligjit, raporton Insajderi.

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here