Policia italiane ka bërë të mundur sekuestrimin e një sasie rreth 300 kilogram marijuanë mëngjesin e sotëm.

Droga është kapur mëngjesin e sotme pranë provincës së Leces, ndërsa në pranga janë vendosur dy skafistë shqiptarë, por identiteti i tyre nuk bëhet i ditur.

Gomonia është pikasur nga policia në afërsi të plazhit “Le Cesine” në komunën Vernole dhe menjëherë është vendosur në ndjekje të saj. Dy shqiptarët kanë shtuar shpejtësinë e gomones dhe pas mbërritjes në bregdet kanë braktisur mjetin dhe janë larguar në këmbë, shkruan albeu.com

Pas kërkimeve intensive, policia ka mundur të kapë dy skafistët shqiptarë të fshehur në parkun natyror “Le Cesine.”

Karabinierët kanë sekuestruar gomonen me 294 kg marijuanë si dhe 16 kg hashash me një vlerë përftimi tregu mbi 3 milionë euro.

Kujtojmë se rreth 24 orë më parë një tjetër gomone me 350 kg u kap në brigjet e Adriatikut.