Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi ka pritur sot në kabinetin e tij, përfaqësues të organizatës Integra, ku edhe u nënshkrua një memorandum bashkëpunimi.

Qëllimi i firmosjes së ujdisë është mbështetja financiare për të realizuar monografinë për këngëtaren Nexhmije Pagarusha, e clila ka dhënë kontribut unik jetësor në pasurimin kulturor, social, ekonomik dhe politik të Kosovës.

Libri do të vijë si histori e shtrirë në formë romani me qëllimin që publikut t’i prezantohet i gjithë mozaiku jetësor e artistik i Pagarushës.  Monografia për Nexhmije Pagarushën do përmbledhë gjithë jetën dhe veprimtarinë e saj prej artisteje. I ndarë në disa kapituj, libri do të paraqesë rrugën e këngëtares nga fëmijëria deri në ditët e sotme. Vet këngëtarja me rrëfimin e saj artistik e jetësor do të jetë boshti i rrëfimit të librit që do të publikohet në konturat e një romani.

Gashi, u shpreh shumë i lumtur me nënshkrimin e këtij memorandumi duke thënë se: “Monografia do të vë në pah rëndësinë e karrierës muzikore të Pagarushës, që përfaqëson një pjese vitale të trashëgimisë shpirtërore të vendit tonë”.

Po ashtu, ministri sqaroi se projekti, pjesë përbërëse e këtij Memorandumi zbatohet në kuadër të Strategjisë Kombëtare për Trashëgimi Kulturore dhe theksoi se “Libri do të mbetet trashëgimi e institucioneve të vendit dhe brezave të rinj”.

Ndërkaq, organizatori ekzekutiv i organizatës Integra, Kushtrim Koliqi, falënderoi ministrin dhe Departamentin e Trashëgimisë, për gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar në realizimin e këtij projekti me rëndësi të madhe në fushën e kulturës e të trashëgimisë, transmeton Klan Kosova.