5 pacientë me HIV kanë 7 muaj pa shenja virusi pasi u trajtuan me një vaksinë të re. Trajtimi, i zhvilluar nga hulumtuesit shkencorë në Spanjë, u dha mundësi pacientëve të ndalojnë marrjen e rregullt të ilaçeve antiretrovirale (ARV) – metoda që përdoret aktualisht për të kontrolluar virusin HIV.

Shkencëtarët nuk i kanë testuar akoma rezultatet në teste klinike më masive, megjithatë thonë se kjo vaksinë mund të jetë një “kurë funksionale”.

Ky mund të jetë hapi i parë drejt suksesit në një fushë që ka dështuar në gjetjen e një vaksine në këto 30 vitet e fundit.

“Është një provë e konceptit se nëpërmjet vaksinimit terapeutik ne mund të mësojmë qelizat T të kontrollojnë virusin”, thotë dr. Beatriz Mothe, në Institutin IrsiCaixa për Hulumtimin e Aids, në Barcelonë të Spanjës.

“Është hera e parë që ne shohim një mundësi tek qeniet humane”.

Janë bërë shumë investime dhe kërkime për sëmundjen e sidës, por, deri tani, nuk ka dalë as edhe një vaksinë e vetme në treg. Meqë dështuan në krijimin e një vaksine të veçantë që mund të parandalojë infeksionin e HIV, hulumtuesit shkencorë vendosën të testojnë vaksinat terapeutike.

Qëllimi i tyre është të ndihmojnë njerëzit e infektuar të mbajnë larg virusin për muaj ose edhe vite pa pasur nevojë për përdorimin e rregullt të ilaçeve antiretrovirale.

Dr. Mothe dhe kolegët e saj përdorën një vaksinë kundër virusit HIV të krijuar nga profesor Tomáš Hanke në Universitetin e Oksfordit, në Britani.

Pasi morën trajtimin, tek 5 nga 24 pacientë nuk u shfaqën më shenja të virusit dhe u ndalua përhapja e tij nga sistemi imunitar. Njëri prej tyre ka 7 muaj që nuk përdor më ilaçe për mbajtjen nën kontroll të virusit.

Rreth 18 milionë njerëz në të gjithë botën – gjysma e të cilëve jetojnë me virusin HIV – duhet të marrin ilaçet kundër retroviruseve për të ngadalësuar zhvillimin e infeksionit. Këto ilaçe kushtojnë shtrenjtë dhe mund të shkaktojnë efekte anësore. Pacientët duhet të kujtojnë t’i marrin ato çdo ditë të jetës së tyre.

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here