Ka ndërruar jetë në moshën 77 vjeçare, Prof. Dr. Mandushe Berisha, e cila njihet si gruaja e parë shqiptare që kishte fituar titullin Doktor Shkence.

E ndjera ka punuar mbi 40 vjet si mësimdhënëse e fakultetit të shkencave matematike-natyrore, e lëndëve të kimisë. Ajo njihet si ndër mësimdhënëset e para universitare në Kosovë, transmeton Klan Kosova.

Ajo ishte profesoreshë ordinare në Universitetin e Prishtinës, FSHMN katedra e Kimisë, ku punoi mbi 40 vjet. Doktoraturën e ka përfunduar në Universitetin e Zagrebit.

Ajo ishte autore e shumë librave nga fusha e Kimisë, për klasat fillore, të mesme dhe universitare si dhe botoi me dhjetëra punime shkencore brenda dhe jashtë vendit.

Varrimi i të ndjerës do të bëhet të shtunën në varrezat e Prishtinës në ora 17:00. Ndërsa mbledhja komemorative do të bëhet të hënën në ora 11:00 ne sallën solemne të Fakultetit Filologjikë.