Dy aktorët Ylber Bardhi dhe Adrian Morina, fituan çmimin kryesor të festivalit të vetëm të teatrove “ Prishtina International Theater Festival”, me shfaqjen “Holly Shit”.

Në mbrëmjen finale të ceremonisë solemne të ndarjes së çmimeve, gara për fituesin kryesor dhe shfaqjen më të mirë nga të tria juritë u cilësua si shumë e ngushtë, kjo sepse sipas tyre shfaqjet pjesëmarrëse në festivalin PITF2018 ishin mjaft të forta.

Me këtë rast drejtori i festivalit Ilir Tafa, dhe  drejtoresha artistike Burbuqe Berisha, edicionin e sivjetmë e cilësuan mjaft konkurrues. Ata u shprehën të lumtur që edhe edicioni i dytë shtatëditor u përmbyll me një pjesëmarrje masive deri në kurorëzimin e natës finale.

“Së pari dua të ju falënderoj për dashurinë që na keni dhënë gjatë këtyre shtatë ditëve si shikues, si dhe miq të teatrit. Pa ju ky festival nuk do të ekzistonte. Ju faleminderit të gjitha trupave të teatrit që kanë besuar që ky festival është i denjë për pjesëmarrje, që kanë marrë rrugën drejt nesh, faleminderit që nuk hezituat asnjë moment të shijoni çdo aktivitet që ky festival ka ofruar”.

Aktori Adrian Morina, falënderoi jurinë duke u shprehur i kënaqur me çmimin dhe mes tjerash shtoi

“Faleminderit për çmimin, faleminderit festivalit, ky është edicioni i dytë, unë do të doja që të luaja edhe në edicionin e njëzetë të këtij festivali, duke i uruar jetë të gjatë, meqenëse në kryeqytet nuk ka festival të tillë. Kjo shfaqje ka festuar edhe çmime të tjera, por, unë dua ta veçoj këtë çmim sonte këtu, jo për shkak të miqësisë që kemi me teatrin AAB, ku kemi pasur fat dhe kemi punuar shumë. Ky festival, ky teatër këtu mban një emër shumë të madh të profesorit të ndjerë Faruk Begolli, ku edhe kisha fat të isha student i tij, dua ta falënderoj përzemërsisht profesorin tonë të ndjerë që ka dhënë shumë për ne dhe teatrin”.

Kjo është lista e plotë e çmimeve këtë vit në “Prishtina International Theater Festival” (PITF 2018)

 

Çmimi “Best Play: Student Choice” – “Holly Shit” – Kosova

Çmimi “Best Play: Media Choice” – “Holly Shit” – Kosova

Çmimi “Best Supporting Actor” – Drita Kaba Karaga, “Gratë” – Maqedonia

Çmimi “Best Director” – Ana Bateva, “Pula” – Bullgaria

Çmimi “Best Play” – “Pula” – Bullgaria

Çmimi kryesor i PITF 2018 “Best Actor” – Adrian Morina, Ylber Bardhi, “Holly Shit” – Kosova