Autor: Liridon Zeqiri

I skalitur në bronz do të qëndrojë në Fushë Kosovë dhe Drenas nga ky 28 Nëntor.

Në Ditën e Flamurit kombëtar, në këto dy qytete u zbuluan shtatoret e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.

Për dallim nga ajo e Fushë Kosovës, në Drenas në lapidar krah tij janë ngritur edhe Shaban dhe Hamëz Jashari.

Me këto përurime të sotme, figura kombëtare e Adem Jasharit prin me numrin e përmendoreve të vendosura në Kosovë që del se janë mbi 80 sish.

Ajo qëndron e ngritur në shtatë piedestale guri. Komunat tjera në të cilat Adem Jashari ka shtatore janë: Skënderaj, Vushtrria, Malisheva, Dragashi dhe Lipjani.

Pas figurës së tij të lartësuar në shtatore janë edhe Fituesja e Çmimit Nobel për Paqe, Shën Nënë Tereza dhe heroi i kombit Zahir Pajaziti nga katër herë.

Shtatorja e Shën Nënë Terezës është qëndron në Prishtinë, Gjakovë, Pejë dhe Klinë, kurse ajo e Zahir Pajazitit përveç kryeqytetit edhe në qytetin e Podujevës, në vendlindjen e tij Orllan dhe në Lladoc në bazën e parë të UÇK-së.

Drejtori i Agjencisë për Menaxhim të Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj, ka thënë për … se ata menaxhojnë me vetëm ato trupore që i kanë ndërtuar ata vetë.

“Përkundër numrit të përgjithshëm të shtatorëve, ne i kemi në menaxhim dhe në mirëmbajtje vetëm ato që i kemi ndërtuar ne: Hyrë Emini – Ferizaj, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha, Hakif Zejnullahu, Ilir Konushevci – Podujevë, Hasan Prishtina – Vushtrri, Adem Jashari – Fushë Kosovë (e vendosur më 28 Nëntor 2019).

Ish Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, është i gdhendur në dy shtatore; njëra qëndron në Prishtinë në sheshin me emrin e tij kurse tjetra në fshatin e prejardhjes së familjes se tij, në Malaj të Rugovës.

“Pasojnë Edmond Hoxha me tri shtatore (Junik, Podujevë dhe Lladoc), Hakif Zejnullahu dhe Ilir Konushevci me dy shtatore (në Podujevë dhe Lladoc), Isa Boletini me dy shtatore (Mitrovicë, Isniq), Skënderbeu me dy shtatore (Prishtinë dhe Prizren), Hasan Prishtina me dy shtatore (Prishtinë dhe Vushtrri)”, ka thënë Zogaj.

Shqiptarët shtatore u kanë ngritur edhe ish Presidentit të SHBA-së, Bill Clinton në Prishtinë dhe ish ambasadorit të OSBE-së në Kosovë gjatë kohës së luftës, William Walker (nën menaxhim të AMKM-së) e cila qëndron në Reçak, aty prej ku në vitin 1999 ai sensibilizoi opinionin ndërkombëtar se ndaj shqiptarëve të Kosovës po ushtrohej gjenocid.

Nga figurat tjera që kanë shtatore në Kosovë, Clinton dhe Walker janë gjallë.

“Figurat që në Kosovë qëndrojnë në nga një shtatore janë: Agim Ramadani – Gjilan, Ukshin Hoti – Prizren, Luan Haradinaj – Deçan, Shkelzen Haradinaj – Pejë, Haxhi Zeka – Pejë, Adrian Krasniqi – Pejë, Njazi Azemi – Viti, Idriz Seferi – Gjilan, Metush Krasniqi – Kamenicë, Rexhep Mala – Gjilan, Nuhi Berisha – Gjilan, Xhevat Berisha – Prizren, Ismajl Kryeziu – Prizren, Avdyl Frashëri – Prizren, Ymer Prizreni – Prizren, Sylejman Vokshi – Prizren, Asim Vokshi – Deçan, Remzi Ademaj – Prizren, Salih Çeku – Deçan, Ali Nezaj – Gjakovë, Fehmi Agani – Prishtinë, Xhavit Haziri – Obiliq, Xhevë dhe Fehmi Lladrovci – Drenas, Ilaz Kodra – Drenas, Harun Beka – Mitrovicë, Artim Jashari – Mitrovicë, Ismajl Qemali – Prishtinë, Ali Hadri – Prishtinë, Agron Rama – Gjakovë, Nazmi Ukësmajli – Ferizaj, Ndue Përleshi – Klinë, Mujë Krasniqi – Klinë, Zhuj Selmani – Pejë, Nasemi Dervishdana – Gjakovë, Rexhep Bislimi – Ferizaj, Kadri Bajri – Pejë, Gjon Lluka – Viti, Ismet Asllani – Lipjan, Fadil Vata – Suharekë, Besim Ndrecaj – Suharekë, Qami Ilazi – Kaçanik, Agim Bajrami – Kaçanik, Rasim Kiqina – Drenas, Bedri Shala – Drenas”, ka treguar Zogaj.

Janë edhe dy përmendore që do t’i ngrisë Agjencioni i Monumenteve; e Anton Çettës në Prishtinë dhe e Ahmet Krasniqit në Vushtrri.

Ndërkaq muaj më parë ka dështuar projekti për ngritjen e shtatores së ish veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi, ndonëse lokacioni është ndarë dhe gurthemeli i saj është vënë.

Sipas Zogajt, përveç institucioneve shtatoret në Kosovë nuk ngriten vetëm nga institucionet – komunat, Qeveria dhe agjencia që ai drejton.

“Deri më tani, shtatore kanë ngritur shokët e personaliteteve”.

“Sa i përket kritereve, Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale vepron në bazë të kërkesave të institucioneve; në të njëjtën kohë bëjmë ndërtimin e shtatoreve të cilat na vijnë me amandament nga Kuvendi i Kosovës. Pra, nuk ka ndonjë kriter të veçantë se cili institucion ka për obligim ndërtimin e shtatoreve, edhe pse, mendoj se vetëm Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, do duhej të merrej me ndërtimin e shtatoreve të personaliteteve kombëtare”.

Mbi një muaj i ka marrë kohë skulptorit Agon Qosa që ta përfundojë shtatoren e Adem Jasharit që u zbulua sot në Fushë Kosovë.

“Modelimi dhe derdhja në allçi më ka marrë kohë 15 ditë, bronzi 20 ditë, gjithsejtë 35 ditë”, ka thënë Qosa për ….

Sipas tij edhe puna që bëhet për krijimin e shtatoreve dallon, duke e dhënë edhe arsyetimin për këtë pohim.

“Shtatoret që bëhen vetëm për shitje, ato janë më të dobëta që fatkeqësisht janë një numër i madh i tyre”.

Qosa ka treguar se deri tash ka punuar edhe shtatë shtatore të tjera.

“Të Hyrë Eminit, Ahmet Kaqiku, Shaban Ukshini, Sami Ukshini, Anton Çetta që s’po ju gjendet vendi; Bafti Haxhiu dhe Agim Ramadanit. Kam edhe pesë shtatore për të cilat kam fituar konkursin”.

Ai ka thënë se ka punuar edhe buste përfshirë atë të nobelistës së parë femër për Paqe, Bertha Von Suttner e që është e vendosur në Graz të Austrisë dhe e njëjta poashtu në Hagë të Holandës.

E për ta kurorëzuar punën në një vepër skulpturale të rëndësishme janë: anatomia, proporcioni, ngjashmëria kompozicioni dhe gjeometria e figurave.

Klankosova.tv ka kontaktuar edhe me Shoqatën e Familjarëve të Dëshmorëve për të dhënat që ata posedojnë, por që kanë thënë se nuk mund të përgjigjen deri pas festës së 28 Nëntorit.