Niveli i ujit në liqenin e Batllavës sot është minus 9.11 metra nën pikën maksimale të kapërderdhjes ose 625.89 metra mbi nivelin e detit ndërsa niveli i ujit në liqenin e Badocit është minus 9.20 metra nën nivelin maksimal ose 640.63 metra mbi nivelin e detit.

Kështu bën me dije KRU “Prishtina” duke apeluar te qytetarët që të kursehet uji këto ditë, njofton Klan Kosova.

“Uji sot nuk duhet të shfrytëzohet në mënyrë të pakontrolluar, me ç‘rast i zvogëlojmë rezervat e ujit të pijshëm, por uji duhet kursyer pikë për pikë.! Vetëm kështu sigurojmë sasi të mjaftueshme të ujit të pijshëm për të ardhmen”.

Kjo kompani paralajmëron gjithashtu të gjithë ata që nuk paguajnë me rregull se do të mund të përballen me ndëshkime.

“KRU” Prishtina” sh.a. falënderon të gjithë konsumatorët për pagesa të shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit dhe fton urgjentisht secilin prej tyre, që të jenë sa më të rregullt në pagesa, sepse vetëm në këtë mënyrë mund t’u shmangen ndëshkimeve të kompanisë, gjegjësisht ekipeve të shkyçjes dhe procesimit të lëndëve te përmbaruesit privat. Po ashtu, kompania iu ka ofruar bashkëpunim dhe lehtësira të ndryshme konsumatorëve borxhlinj për pagesën e borxheve të mëdha të akumuluara, mirëpo shumë nga konsumatorët kanë refuzuar bashkëpunimin me KRU,,Prishtina,, sh.a”.

Kompania thotë se çdo pagesë që ju e bëni për shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit do të iu kthehet në investime afatgjate duke e përmirësuar në vazhdimësi çdo shërbim që ndërlidhet me ujin dhe kanalizimin.