Në bazë të konkursit publik për Programin Artistik të Galerisë së Ministrisë së Kulturës për vitin 2020, i cili ka qëndruar i hapur nga data 01.10.2019-11.11.2019, për të qenë pjesë e repertorit të GMK-së, kanë aplikuar rreth dyzet artistë vendas, nga rajoni dhe më gjerë nga Evropa e Kanadaja.

Ministri i Kulturës në bazë të kompetencave të tij këto ditë ka emëruar Komisionin Artistik, përgjegjës për shqyrtimin dhe seleksionimin e projekteve konkurruese, transmeton Klan Kosova.

“Komisioni në përbërje: Shqipe Kamberi – Kryesuese, si dhe Zana Ramadani dhe Arlinda Hajrullahu – Anëtare, pas shqyrtimit të projekteve konkurruese dhe në përputhshmëri me politikat kulturore e programore të GMK-së për vitin 2020, në takimin e mbajtur më 22 janar 2020, vendosi për projektet dhe artistët që do të ekspozojnë këtë vit në Galerinë e Ministrisë së Kulturës: Faik Krasniqi; Michael Stoeger, Florent Pista, Idlir Koka, Argenita Fetahu, Pranvera Kicaj, Yll Xhaferi dhe Engji Jaha”.

“Gjithashtu, në bazë të kompetencave ligjore, koordinatorja e GMK-së Dhurata Ramosaj, ka të drejtë që përveç këtyre projekteve të përzgjedhura nga Komisioni, të ftoj për ekspozitë edhe dy artistë të dalluar vendas apo të jashtëm”.