Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka marrë pjesë në tryezën e organizuar nga Instituti Columbus, me temë “Beteja mes listës së dëshirave dhe nevojave të pacientëve”.

Në këtë takim u fol për procesin e revidimit të Listës së Barnave Esenciale e cila nuk është bërë nga viti 2012 dhe të cilin Ministria e Shëndetësisë e ka nisur këtë vit.

Në fjalën e tij,  Ismaili tha se kjo listë duhet t’i përmbushë nevojat e pacientëve dhe spitaleve e jo të kompanive farmaceutike.

“Lista e Re e Barnave Esenciale duhet t’i përmbushë nevojat e pacientëve dhe spitaleve e jo të jetë një listë e dëshirave dhe nevojave të ndonjë kompanie. Që ky proces shumë i rëndësishëm të realizohet mbi këto standarde, unë kam themeluar Komitetin teknik për Revidimin e Listës Esenciale ku janë përfshirë akterë të shumtë dhe profesionalë, dhe të cilët do të kenë asistencën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë gjatë gjithë kohës”, ka thënë ai.

Më tej, për të shmangur çdo konflikt interesi, ministri Ismaili bëri të ditur se kanë ftuar edhe Agjencinë Kundër Korrupsionit.

“Këtë herë pjesë shumë e rëndësishme e këtij procesi është përfshirja e Agjencisë Kundër Korrupsionit. Kjo Agjenci është ftuar nga ne. Ata kanë qenë shumë ekspeditivë dhe përkrahës që të kontribuojnë dhe monitorojnë gjatë tërë kohës secilin hap të këtij procesi, duke filluar që nga hartimi i përbashkët i vendimit, ku është paraparë edhe deklarimi i konfliktit të interesit”, ka thënë ai.