Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, pas mbledhjes së Kryesisë që ka mbajtur kjo parti ka folur para mediave duke treguar se çfarë është biseduar.

“T’i orientojmë politikat tona në disa fusha të rëndësishme që për momentin janë fusha aktuale si problemi i qeverisjes së vendit dhe cilësia e kësaj qeverisje, problemi i dialogut me Serbinë, përmbajtja, formati dhe koha kur ne konsiderojmë se do të duhej të ishte për dialogun”.

“Janë çështje të tjera për të cilat kemi diskutuar sot në Kryesi që ka të bëjë edhe me shndërrimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës dhe qëndrimet e LDK-së, por edhe me kujdesin e LDK-së për përmirësimin e jetës së çdo qytetari dhe për qeverisjen shumë më të mirë të këtij vendi”.

“Ne kemi dhënë qëndrimet tona disa herë, të cilat janë qëndrime të organeve të LDK-së”.

Mustafa ka folur për fazën finale të dialogut me Serbinë, duke thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës e përkrah dialogun, me disa kushte, njofton Klan Kosova.

“Sa i përket procesit të dialogut, kemi ripërsëritur disa herë se LDK konsideron se të gjitha problemet dhe të gjitha çështjet e hapura me Serbinë por edhe çështjet që mund të jenë eventualisht hapur me vendet fqinje duhet të zgjidhen përmes procesit të dialogut”.

“Ne kemi përkrahur dialogun si proces dhe e përkrahim edhe më tutje por konsiderojmë se çështjet për të cilat po insistohet që të dialogohet kohëve të fundit janë çështje që kërkojnë kohë, institucione me legjitimitet politik dhe legjitimitet kushtetues dhe kërkojnë pajtueshmëri të gjerë të të gjitha subjekteve politike, shoqërisë civile, institucioneve shkencore, institucioneve të biznesit, Bashkësive Fetare sepse ky vend u takon të gjithëve”.

Sipas të parit të LDK-së, dialogu me Serbinë duhet të zhvillohet me pajtueshmërinë e të gjitha subjekteve politike.

“Ne kemi vlerësuar se çështja e dialogut nuk është çështje emergjente që duhet që të kryhet me çdo kusht për disa muaj por është çështje që kërkon që institucionet e vendit, partitë politike, shoqëria civile dhe të gjitha subjektet relevante në Kosovë të ulen të përcaktojnë qëllimin e tyre, çka kanë për qëllim të realizohet si objekt përfundimtar i dialogut me Serbinë dhe pastaj të kemi institucione legjitime që do të dalin nga zgjedhjet e lira që marrin përgjegjësinë për dialogun”.

“Sipas botëkuptimit tonë, dialogun nuk mund ta zhvillojë as vetëm pozita, e aq më pak opozita – nuk mund ta zhvillojë as vetëm një subjekt politik por lypset një sinergji e të gjitha subjekteve politike sepse është në pyetje vendi dhe interesi i vendit”.

“Ne si LDK kemi përgjegjësinë tonë për këtë, ne nuk i ikim përgjegjësisë tonë për dialogun. Ne edhe në këtë moment e kemi përgjegjësinë si opozitë të japim kontributin tonë në këtë proces të dialogut dhe do ta japim”.