Juristi, Vigan Qorrolli, ka thënë se letra e ish-prokurorit të Prokurorisë Speciale, ka nxjerrë në pah problemin sistematik në sistemin juridik të Kosovës.

Kjo erdhi pas letrës së ish-prokurorit të Prokurorisë Speciale, Blakajt, i cili kishte qenë duke hetuar këtë rast, dhe i cili dje me një letër e kishte arsyetuar dorëheqjen e tij me kërcënimet që i ishin bërë.

“Po [nxori problem sistemor letra e Blakajt] sigurisht. Kjo ka qenë Maja e Ajsbergut, kapaku i një mega mashtrimi të cilin disa njerëz me suport politik po duan ta mashtrojnë shtetin e Kosovës”.

“Ai i ka ngritur brengat të cilat ne i dimë se në mungesë të sistemit, se Kosova vuan prej mungesës së sistemit. Kemi probleme sistemike.

“Nëse ka aludime që po bëhet krim me listat e veteranëve, s’kemi të bëjmë me individualë”.

“Kemi problem sistemik. 19 mijë veta që po dyshohet që po abuzojnë me këto gjëra”.

“Dhe kush i ka vërtetu falsitetet e tyre? Një sistem i tërë që udhëhiqet nga krerët më të lartë komandues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky është problemi sistemik”.

“Dhe ata njerëz që cilët i kanë nënshkruar këto, kanë suport politik”.

Ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë investuar në shkollimin e Blakajt në mënyrë që ai dhe njerëzit si ai ta luftojnë krimin e organizuar, mirëpo shpëtimin Qorrolli e sheh te Vetingu ku edhe do të largoheshin njerëzit e ndikuar politikisht.

“SHBA kanë investuar në atë djalë [në Elez Blakajn]. E kanë shkolluar në Amerikë me paret e tyre dhe e kanë bërë prokuror special duket me bindjen që ai dhe disa të tjerë të cilët i kanë shkollu në perëndim janë njerëzit të duhur për ta luftuar krimin e organizuar.

“Sepse prokuroria speciale nuk merret me krim ordiner, por merret me hetimin e krimeve të rënda të cilat janë të dënueshme me mbi 10 vjet sipas sistemit juridik të Kosovës. Prandaj meqenëse kemi disa politikanë dhe kjo e vërteton një gjë – që janë mbi ligjin”.

“Atëherë, me automatizëm duhet që sa më parë të jetë e mundur – kam pasur shpresë që kjo të ndodhë pas  përfundimit të dialogut me Serbinë dhe një marrëveshje përfundimtare – një sistem siç njihet botërisht i Vetingut, ku prokurorët dhe gjyqtarët jo vetëm të niveleve të tilla, por të të gjitha rangjeve në nivel republikan, edhe ata të Gjykatës Kushtetuese t’u nënshtrohen një procesi të Vetingut ku përveç figurës së tyre, pastërtisë morale, vendimet të tyre të nxjerra, gjykohet profesionalizmi, financat e tyre, jeta ekonomike, a mund t’i arsyetojnë financat e tyre, të bëhet edhe një veting për figurën e tyre. E kjo do ta shpëtojë Kosovën ku do të largohen njerëzit që kanë dhe marrin influencë politike”.

Qorrolli shpreson se ambasadori i ri në Kosovë, Philip Kosnett, do t’i ndjekë hapat e atij amerikan në Shqipëri, Donald Lu, sa i përket këtij procesi.

“Pa qenë i afërt me figura të fuqishme politike ju nuk mund të bëheni prokuror, kryeprokuror, gjyqtar, kryegjyqtar as në Supreme, por as në nivele të Gjykatës Kushtetuese”.