Juristi, Vigan Qorrolli, ka thënë se rasti i listave të fryera të veteranëve të luftës do të jetë gjykim i shekullit për sistemin juridik në Kosovë, ndërkaq për rastin e dorëheqjes së Elez Blakajt tha se kjo e ka vulosur frikës se ky sistem është i kapur, njofton Klan Kosova.

Komentet e Qorrollit vijnë pas letrës së ish-prokurorit të Prokurorisë Speciale, Blakajt, i cili kishte qenë duhe hetuar këtë rast, dhe i cili dje me një letër e kishte arsyetuar dorëheqjen e tij me kërcënimet që i ishin bërë.

“Ka disa pretendime serioze të tashmë ish-prokurorit të Prokurorisë Speciale, z.Blakaj i cili aludon për presionet në punën e tij dhe sidomos në çështjen e ndjeshme të veteranëve të luftës, dhe siç shihet ky do të jetë sipas gjasave gjykimi i ashtuquajtur i shekullit për sistemin juridik të Kosovës dhe për tërë shoqërinë kosovare – ku pretendimet janë shumë serioze”, ka thënë Qorrolli në Info Magazine të Klan Kosovës.

“Sepse mbi 30 milionë është dëmi që i bëhet në mënyrë sistematike buxhetit të Kosovës, dhe 19 mijë veta që dëshirojnë ta mashtrojnë një sistem të tërë dhe një shoqëri të tërë për një ngjarje që nuk ka ndodhur shumë moti”.

Qorrolli ka thënë se ka disa pretendime në letrën e Blakajt, ku ai i bën dëshmitarë apo bashkëpjesëmarrës edhe tre kolegë të tij të cilët sipas Qorrollit duhet të dalin dhe të flasin.

“Por Millaku si epror i tij i drejtpërdrejt duhet të jetë më transparent dhe të dalë të flasë se cilat kanë qenë kërcënimet kundrejt personit Blakaj, dhe cilat kanë qenë jo vetëm çështjet e holla juridike të cilat ne si juristë mund t’i kuptojmë por që publiku i gjerë ka interes mbi çështjet teknike të rregullimit të një aktakuze sipas kushteve dhe kritereve të cilat i parasheh kodi penal dhe ai i procedurës penale”.

“Publiku ka nevojë për një transparencë të thellë, sepse përfundimisht kjo po tregon se njerëzit e politikës kanë duar mbi sistemin prokurorial”.

“Tashmë gjërat kanë qenë të ditura por kjo i vë vulë, i vë kapak frikës së madhe se sistemi juridik është i kapur”.

Pavarësisht se ka njerëz që kanë integritet në sistemin juridik, Qorrolli ka thënë se për t’i marrë postet e rëndësishme në sistemin juridik i marrin ata që me patjetër duhet të jenë të afërt apo aleatë me politikanë .