Autor: Yllnora Elshani

Mbretëresha e muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha, ndërroi jetë sot në moshën 86 vjeçare.

Opusi i këngëve të saj ishte shumë i gjerë pasi ajo shkëlqente në të gjitha zhanret, njofton Klan Kosova.

Vdekjen e artistes rëndë e përjetoi edhe publicisti Shaqir Foniqi, i cili ia kishte kushtuar një libër jetës dhe veprës së saj.

”Një lajm i trishtë, i rëndë”.

”Besoj se jo vetëm unë, por e gjithë shqiptaria duhet ta kanë përjetuar rëndë, sepse ajo ishte e papërsëritshme”.

Si e kujton ai Nexhmije Pagarushën?

”Nexhmijen e kujtoj si një zonjë modeste, shpirtbardhë dhe shumë të drejtë”.

”Ajo e kishte qëndrimin e vet dhe ua thoshte njerëzve në sy për atë që mendonte. Pra, ishte e madhe dhe jolajkatare!”.

Foniqi thotë për Klan Kosovën se ndihet i nderuar që është autori i parë që shkroi monografi për këngëtaren.

”Është mëse e vërtetë se jam i pari autor që kam shkruar një Monografi për të, ‘Nexhmije Pagarusha, Bilbili i Kosovës‘. Jam i nderuar dhe i privilegjuar për këtë”.

Foniqi tregon se si kishte arritur ta bindte që t’i shkruante monografi.

”Ishte modeste dhe me thoshte: ‘Nuk kam bërë asgjë, lëre’, por arrita ta bind dhe, më vonë me thoshte: ‘As vet nuk e di si me ke bindë që të më shkruash Monografi”.

”Ky libër ka pasur edhe një ribotim në Tiranë, nga shtëpia botuese Toena”.

 

Publicisti Shaqir Foniqi u shpreh për Klan Kosovën se motivin për t’i dedikuar një libër e gjeti tek vet zëri i Nexhmije Pagarushës.

”Inspirimi ishte aty, tek zëri i saj, kurse nga libri veçoj fillet e jetës së saj”.

”Unë them se Diva jonë nuk ka vdekë, vetëm ka ndërruar adresë”.

”Fama e saj, nuk ka nevojë për ne, e jona ka nevojë për të. Do kalojnë shumë vjet që ta kemi një Nexhmije Pagarusha, e cila do t’ përballojë vitet dhe shekujt!”.

Ai tregon edhe detaje rreth përmbajtjes së librit ”Nexhmije Pagarusha, Bilbili i Kosovës”.

”Libri ka një kronologji dhe është e ilistruar me fotografi. Pra, në libër pasqyrohet rrugëtimi i saj nga lindja e deri me sot. Libri përfundon me fjalët e shansonjerës se madhe Juliette Greco, e cila shkruan: ‘‘Nexhmijen nuk do ta krahasoja me asnjë këngëtare, sepse mendoj se do ta fyeja’”.

”Ajo ishte e veçantë dhe e papërsëritshme”.