Koordinatori Nacional për Kulturë Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, sonte në një mbrëmje gala të organizuar në sallën koncertale të Klan Kosovës, ka shpërblyer arsimtarët, drejtorët e shkollave, Drejtoritë e Arsimit si dhe prindërit, për kontributin e dhënë në organizimin e garave të diturisë dhe mendimit kritik.

Në fjalimin e tij Hoti tha se pavarësisht të gjithave duhet të punojmë që të kemi një arsim cilësor në shërbim të fëmijëve dhe shtetit.

” Me organizimin e garave të diturisë dhe mendimit kritik, ne jemi munduar që të punojmë sistematikisht me fëmijët tanë. Duke i falënderuar të gjithëve juve e kemi bërë të mundur që të tregohen shkathtësitë e fëmijëve tanë. Ne duhet të punojmë për një arsim cilësor, në shërbim të fëmijëve dhe shtetit “- tha Hoti.

Pas mbarimit të fjalimit u ndanë shpërblimet.

Ato përfshijnë: Nga 270 euro për mësimdhënësit, 300 euro për drejtorët e shkollave, dhe nga 150 euro për prindërit.
Shpërblimet u ndanë për të gjithë komunat e Kosovës.

Gjithashtu shpërblime pati edhe për komunitetin boshnjak dhe turk.

Në këtë mbrëmje u përzgjodhën edhe tre drejtoritë më të mira të arsimit në Kosovë:

E treta u zgjodh, Drejtoria e Arsimit e komunës së Gjilanit në krye me Nazim Gagica.

E dyta u zgjodh, Drejtoria e Arsimit e komunës së Prizrenit në krye me Xhemile Thaçi- Vezgishi.

E para u zgjodh, Drejtoria e Arsimit e komunës së Gjakovës në krye me Bernard Frrokaj.

Në fund të ndarjes së çmimeve u shpall edhe shkolla më e mirë në organizimin e aktiviteteve të garave të diturisë dhe mendimit kritik.

Shkolla më e mirë u shpall shkolla “Prenk Jakova”, nga Gjakova e cila mori edhe shpërblimin prej 10 mijë euro.