Dy persona të tjerë kanë rënë në pranga në kuadër të operacionit “Tranzit” në Elbasan, duke e çuar në 10 numrin e të arrestuarve. Së fundmi janë ndaluar M.K. 32 vjeç dhe M.K. 56 vjeç banues në Tiranë.

Ata janë pjesë e grupit kriminal që kontrabandonte klandestinë nga vendet e treta drejt Malit të Zi. Dy të arrestuarit akuzohen për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit në formën e kontrabandimit të njerëzve e kryer në bashkëpunim. Gjatë ditës së djeshme policia njoftoi arrestimin e 8 personave të këtij grupi kriminal, mes të cilëve edhe një shtetas turk, i cili ishte kreu i grupit,raporton tvklan.al, transmeton Klan Kosova.

Këta persona, në bashkëpunim me njëri- tjetrin, vepronin si grup kriminal duke organizuar transportin e shtetasve të huaj nga kufiri i gjelbër me shtetin grek në drejtim të Tiranës dhe më pas në drejtim të Malit të Zi. Vazhdon puna për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.