Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka bërë sot prezantimin e gjetjeve nga hulumtimi për matjen e opinionit publik në Kosovë lidhur me gjendjen aktuale politike, kënaqshmërinë me punën e institucioneve publike, si dhe preferencat politike të qytetarëve për zgjedhjet e ardhshme.

“Subjekti politik i cili do të votohej më së shumti nga qytetarët nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diele, del të jetë Lidhja Demokratike e Kosovës me 23.8%, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 18.4%, Lëvizja Vetëvendosje me 17.6% dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 8.8% të të anketuarve, 4.1% e qytetarëve të anketuar kanë deklaruar se do të votonin për Listën Serbe”.

NISMA Socialdemokrate, Partia Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Alternativa, del se sipas deklarimit të qytetarëve në këtë hulumtim, nuk do të arrinin që të kalojnë pragun zgjedhor prej 5%.

Eugen Cakolli nga KDI ka shtuar se 15.6% e të anketuarve kanë refuzuar të deklarojnë se për cilin subjekt do të votonin.

Ndër të tjera Cakolli ka theksuar se rezultatet e këtij sondazhi tregojnë se 74% e të anketuarve mendojnë që gjërat në Kosovë janë duke shkuar në drejtimin e gabuar.

“Po ashtu qytetarët janë pyetur konkretisht për kënaqshmërinë e tyre me punën e Qeverisë së Kosovës. Sipas rezultateve të hulumtimit, 72% e qytetarëve janë të pakënaqur me punën e Qeverisë, ndërsa vetëm 26% janë deklaruar të kënaqur me punën e saj”, ka bërë të ditur ai.

“Bazuar në sondazh papunësia mbetet problemi kryesor me të cilin ballafaqohen shumica e qytetarëve të Kosovës dhe është evidentuar në 61.3% të rasteve. Pastaj vjen mungesa e liberalizimit të vizave  (42.8%), mungesa e sundimit të ligjit (33.3%), gjendja e keqe në sektorin e shëndetësisë (28.9%), si dhe mungesa e arsimit cilësor (19.6%)”.

“Siguria në trafik është një problem i ri i evidentuar nga qytetarët, por që më parë nuk ka qenë pjesë e shqetësimeve të tyre. Me këtë çështje, në gjashtë muajt e fundit janë ballafaquar rreth 13% e qytetarëve”.

Në kuadër të këtij hulumtimi, Cakolli ka thënë se qytetarët janë pyetur edhe për kënaqshmërinë e tyre me punën e Kuvendit të Kosovës. Vetëm 26% e të anketuarve janë deklaruar të kënaqur me punën e Kuvendit, kurse 72% e tyre janë deklaruar të pakënaqur.

“53.5% e qytetarëve kanë vlerësuar se deputetët nuk janë aspak llogaridhënës ndaj votuesve të tyre, pas marrjes së mandatit. “Vetëm 19.1% e të anketuarve kanë deklaruar se kanë pasur mundësi për të komunikuar me ndonjë deputet/e që nga zgjedhjet e fundit parlamentare”, ka plotësuar Cakolli.

Ai ka thënë se qytetarët janë pyetur edhe lidhur me pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje parlamentare, nëse këto të fundit do të mbaheshin këtë të diele.

“Mbi 70% të anketuarve kanë deklaruar se do të merrnin pjesë në zgjedhje, rreth 20% që nuk do të merrnin pjesë, ndërsa pjesa tjetër nuk kanë qenë të vendosur, apo kanë refuzuar të përgjigjen”, theksoi ai.