Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Konferenca e sotme e mbajtur në Berlin ka qenë mundësi për të që t’i theksojë padrejtësitë e BE-së në raport me Kosovën dhe rajonin.

“Republika e Kosovës e meriton liberalizimin dhe Bashkimi Evropian duhet ta marrë vendimin për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët tanë sa më shpejt që është e mundur. Edhe hapja e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë duhet të bëhet në të ardhmen e afërt. Bllokimi i qytetarëve tanë dhe bllokimi i këtyre negociatave ishin mesazhe shumë të këqija për tërë Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Thaçi përmes Facebook, transmeton Klan Kosova.

“Për më tepër, ishte mundësi e mirë për të dhënë mesazhin se Bashkimi Evropian duhet të tregojë vizion në qasjen ndaj rajonit. Me politikë të drejtë dhe vizion të qartë të Bashkimit Evropian, i gjithë rajoni ynë së bashku mund të ecë përpara”.